Himçi: Mazniku dhe Llatja “konsultim” për reformën territoriale sa për sy e faqe! Skenari për të shkrirë Cërrikun dhe Belshin

DEKLARATË PËR MEDIA DEPUTETI I PD, BLENDI HIMÇI

Procesi i konsultimeve publike për reformën territoriale, i shpallur nga anëtarët e majtë të Komisionit të Reformës Territoriale, është kthyer në një farsë të turpshme, një shkelje flagrante e parimeve të transparencës dhe demokracisë lokale.

Sipas dokumentit të firmosur nga bashkëkryetari i komisionit, z. Mazniku, konsultimet publike duhej të zhvilloheshin në çdo këshill bashkiak, në çdo njësi administrative dhe me vetë kryetarët e bashkive që të shprehnin opinionin e tyre. Ky ishte parimi bazë i procesit, por në praktikë është deformuar dhe reduktuar në një formalitet pa vlerë.

Në zbatim të kësaj shkrese, kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Llatja, si një ushtar i bindur i direktivave politike të z. Mazniku, ka vendosur që në të njëjtën ditë dhe orë pra të martën, më 25 gusht, ora 10:00 të zhvillojë njëkohësisht konsultimin me Këshillin Bashkiak të Elbasanit, konsultimin publik me të 12 njësitë administrative dhe me 6 rajonet e qytetit. Ky veprim është i pamundur për t’u monitoruar, duke e kthyer konsultimin publik në një fasadë të pastër.

Në Këshillin Bashkiak nuk janë ngritur apo miratuar grupet e punës që do të shpjegonin komunitetit se cilat janë përfitimet e kësaj reforme dhe mbi cilën analizë është bazuar drafti. Kjo tregon se nuk ka asnjë bazë studimore, asnjë analizë serioze por vetëm imponim politik pa transparencë.

Më qesharakja është fakti se konsultimi publik që përfshin 6 rajonet e qytetit, do të zhvillohet në një sallë me kapacitet vetëm 140 persona.

Si mund të përfaqësohet zëri i mijëra qytetarëve në një sallë kaq të vogël?

Kjo është një provë e qartë se konsultimi nuk ka për qëllim dëgjimin e qytetarëve, por thjesht plotësimin formal të një urdhri politik.

Ky draft synon të shkrijë Bashkinë Cërrik dhe Bashkinë Belsh, duke i bashkuar me Bashkinë Elbasan.
Kjo do të thotë largim i shërbimeve nga qytetarët, centralizim i pushtetit dhe mohim i parimit të decentralizimit, i cili ka për qëllim ofrimin e shërbimeve sa më pranë qytetarit.

Ky proces nuk është konsultim publik, por një farsë e organizuar për të zbatuar urdhrat e Kryeministrit Rama, duke mos marrë në konsideratë zërin e qytetarëve.

Ne e denoncojmë këtë sjellje si antidemokratike, si një përpjekje për të mbyllur gojën e komuniteteve dhe për t’i larguar shërbimet nga qytetarët e Cërrikut dhe Belshit.

About Redaksia

Check Also

212 arkitektë e urbanistë peticion kundër modelit Rama

Mbi 80 ditë protesta në Shqipëri, nuk kanë pasur ndikim vetëm mbi bulevardin e tiranës …