Si e masakruan turistin 20-vjeçar/ Per këta mosntra dënimi me vdekje është pak

Detaje të reja janë bërë publike lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari Luis Miguel Varela Mendes. Të dhënat janë përfshirë në materialet e hetimit të Prokurorisë së Sarandës dhe bazohen, ndër të tjera, në pamjet e kamerave të sigurisë pranë zonës së lokalit “Principotes”.

Sipas materialeve të bëra publike, gjithçka nisi pak pas orës 05:14, kur një grup turistësh u largua nga ambientet e lokalit dhe u pozicionua në pjesën e plazhit. Mes tyre ndodhej edhe Mendes, së bashku me shtetas të tjerë.

Rreth një minutë më vonë, në zonë u shfaqën David Heurtevent dhe Sokrat Lipan, i njohur si Sokrat Vata. Nga pamjet dyshohet se mes personave nisi fillimisht një përplasje fizike, e cila shumë shpejt u përshkallëzua.

Në një moment, Vata u përplas me një prej personave të grupit dhe më pas u largua për pak çaste drejt pjesës së shezlloneve. Konflikti vijoi ndërkohë që personat e përfshirë lëviznin në zona të ndryshme të plazhit.

Pamjet tregojnë më tej se Vata iu drejtua me vrap Ibrahim Lemoie, i cili u rrëzua pranë shezlloneve. Pak sekonda më pas, Luis Mendes ndërhyri duke e shtyrë Vatën, i cili përfundoi në tokë.

Pas ngritjes, Vata iu drejtua Mendesit dhe mes tyre nisi një tjetër përleshje. Në këtë moment dyshohet se edhe Heurtevent u përfshi në konflikt, duke goditur të riun.

Situata u bë edhe më kaotike kur persona të tjerë ndërhynë në përleshje. Një prej tyre, Sudae Akhmat, dyshohet se u përpoq të ndihmonte Mendesin dhe u përfshi fizikisht me Vatën.

Në përpjekje për t’u larguar nga konflikti, Mendes u drejtua me shpejtësi nga deti dhe hyri në ujë. Sipas pamjeve të kamerave, ai qëndroi për pak çaste në det për t’u distancuar nga personat që e ndiqnin.

Por edhe pasi doli nga uji, përplasja nuk kishte përfunduar. I riu u drejtua nga pjesa jugore e plazhit, pranë zonës ku ndodheshin punonjësit e shërbimit, ku dyshohet se u godit përsëri dhe u shty drejt ujit.

Pak sekonda më vonë, Mendes doli nga deti dhe u drejtua drejt shezlloneve. Në pamje, sipas materialit hetimor, ai shfaqet me rrobat e njollosura me gjak.

Ndërkohë, një tjetër person i përfshirë në konflikt, David Heurtevent, u largua drejt ambienteve të “Principotes”. Sipas përshkrimit të pamjeve, ai kishte shenja gjaku në pjesën e përparme të veshjeve.

Rreth orës 05:20, edhe Sokrat Vata u largua nga vendi i ngjarjes. Në materialet e hetimit thuhet se edhe veshja e tij e bardhë ishte e njollosur me gjak dhe se ai u shoqërua drejt ambienteve të lokalit nga një prej punonjësve.

About Krye Redaktor

Check Also

Skenari i zyrtarit të Ramës/ E vërteta e incidentit me Kryeministrin e Maqedonise se Veriut

Sali BERISHA Qeveritarët e këtij regjimi janë qeveritarë që vlerat morale i kanë zëvendësuar me …