Elda Menga, TCH: Në mbledhjet që keni mbajtur me dyer të mbyllura, por edhe në mbledhjet publike, ju keni kërkuar angazhim të madh të partisë në rrjetet sociale. A është e vërtetë se kjo platformë parashikon edhe një mënyrë vlerësimi për angazhimin e zyrtarëve të PD në rrjetet sociale?
Sali Berisha: Nuk ka diskutim që një nga dobësitë e PD janë rrjetet sociale.
Ka filluar të ndryshojë, dhe kjo do ndryshojë pa diskutim.
Por nuk kemi të bëjmë këtu me rrjetet sociale, jo.
Kemi të bëjmë me një proces universal të pranimit të vlerësimit të veprimtarisë, e cila është kusht madhor për të vlerësuar funksionimin tërësor të partisë.
Pra, gjithçka synohet, një ripërtëritje e funksionalitetit të PD.
Janë gjëra të lidhura njëra me tjetrën.
Pra, është bërë dhe bëhet një debat me grupe pune dhe këto nuk kanë qëllim kontrollin si të tillë. Jo. Kanë qëllim hapësirën për secilin drejtues, anëtar dhe mbështetës të PD për të shfaqur, për të ushtruar veprimtarinë e tij.
Pra, ne besojmë se rruga e shndërrimit të potencialeve në vlera dhe kapital është kjo.
Ne besojmë se kemi potenciale të mëdha njerëzore, vlera të mëdha, por këto potenciale duhet të shndërrohen në kapitale dhe vlera.
Elda Menga: A e kam kuptuar gabim, qytetari, militanti do bëjë një vlerësim të punës dhe performancës së një drejtuesi politik apo një kryetari dege apo një nënkryetari partie?
Sali Berisha: Do jenë të gjitha standardet ndërkombëtare të përdorura nga partitë më demokratike në Evropë dhe në botë, të cilat nuk synojnë as kryqëzimin, as përjashtimin, por synojnë para së gjithash hapësirën në të cilën secili të tregojë veten me veprimtarinë e tij.
Është një proces i thellë transformues i kësaj partie.
Partia duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë.
Ky ishte verdikti i Kuvendit kombëtar me votimin e tij, me forumet që zgjodhi, por ai është vetëm hapi i parë.
Ky është një proces që duhet të vazhdojë.
Gazeta RD