Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të Edi Ramës për incidentin e vitit 1998, kur kryeministri pretendon se iu thye hunda.
Berisha akuzon Ramën se po viktimizohet për një ngjarje të së shkuarës, ndërsa ngre pretendime të tjera mbi rrethanat e incidentit dhe mënyrën se si u ndoq çështja nga drejtësia.
Sipas Berishës, autori i sulmit ishte arrestuar, por Rama nuk kishte ndjekur më tej procesin gjyqësor, pavarësisht se, sipas tij, qeveria e kohës ishte në pushtet.
Berisha pretendon gjithashtu se Rama nuk ishte vetëm në dhomën ku ndodhi incidenti, duke deklaruar se dëshmitarët mund ta konfirmojnë këtë, ndërsa e cilëson si të paqartë historinë që, sipas tij, Rama po përdor për të nxitur empati tek qytetarët.
Berisha: I zhytur në mjete luksoze, duke shmangur konferencën e shtypit, se nuk ia mban të dalë para gazetarëve, filloi të viktimizojë veten për një incident, për të cilin bëj këto sqarime.
Së pari, agresori u arrestua, por ishte Edi Rama që nuk e ndoqi, megjithëse kishte qeverinë e vet, nuk ndoqi gjyqin dhe procesin gjyqësor.
U pajtua apo kishte arsye të tjera, unë nuk e di.
Së dyti, me përgjegjësi të plotë deklaroj se ai, aty ku ishte, në atë dhomë, ishte me një burrë tjetër. Nuk të lë ky pa i nxjerrë të gjitha.
Dhe ai ka emër dhe mbiemër. Se pse ishin, atë nuk e di, jo, nuk e them.
Por e vërteta është me dëshmitarë se ai nuk ishte vetëm në dhomë. Jo, nuk ishte vetëm.
Po të dojë, ia them edhe emrin se me kë ishte, megjithëse përpiqet ta faturojë dhe ta politizojë.
Ndaj dhe, nuk qenë të paktë ata që e quajtën krim pasioni këtë akt, që unë e dënova me forcën më të madhe.
E kam dënuar me forcën më të madhe.
Është arrestuar autori.
Por se çfarë pazaresh bëri ai apo çfarë raportesh kishte me Edi Ramën, atë nuk e di.
Dhe tani merr, pas 30 vitesh mashtron qytetarët se ja kush më ka thyer hundën mua.
Tregoje të vërtetën siç është, megjithëse e kam treguar pjesërisht, por këto që thashë, këto janë 100 përqind të vërteta.
Nuk them se ishte krim pasion apo nuk ishte krim pasioni, unë them se çfarë thonë të tjerët.
Por them se Edi Rama refuzoi të ndjekë procesin gjyqësor, ndonëse de facto ata ishin në pushtet.
Kjo është historia e tij, që përpiqet të mashtrojë, të bëjë viktimën, të nxisë, të ngjallë dhembshuri, empati, etj, etj, për gjëra të cilat janë jashtëzakonisht të paqarta.
Gazeta RD