Berisha: Ekspertiza e Kongresit të Autoriteteve Lokale është e domosdoshme për reformën territoriale! Ne jemi në vëzhgim

Elda Menga, TCH: Ndërkohë, sot Shoqata e Bashkive ka njoftuar se do të zhvillojë një dëgjesë me Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës për reformën territoriale duke pretenduar se procesi nuk është respektuar nga PS, madje nuk ka pasur transparencë. A mendoni se ndërhyrja e Këshillit të Evropës do bëjë të mundur që PS të heqë dorë nga, mund të themi, plani i saj për të miratuar në mënyrë të njëanshme reformën territoriale?

Sali Berisha: Miratimi gjithëpërfshirës i reformës territoriale dhe reformës zgjedhore është një përcaktim shumë i qartë në raportin e muajit tetor të vitit të kaluar të Komisionit Evropian.
Po të lexoni këtë raport, këto dy janë kushtet më kryesore të përcaktuara në raport për Shqipërinë.
Këshilli i Evropës ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian, ndonëse është një institucion më i gjerë, përfshin të gjitha vendet e kontinentit përveç Rusisë të cilën e kanë përjashtuar apo pezulluar këto kohë.
Për BE-në dhe për mbarë Evropën, institucioni më kompetent për çështje të qeverisjes vendore është Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale pranë Këshillit të Evropës.
Evropa vetë, BE, është bashkim i kombeve dhe rajoneve të Evropës.
Pra, duhet kuptuar kjo që rajonet kanë një autoritet të bashkëpunojnë direkt me Brukselin.
Këtu është rëndësia shumë e madhe e reformës territoriale dhe e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Unë e falënderoj Kongresin për këtë bisedë që kanë online me përfaqësuesit tanë.
Nuk kam dijeni, ndoshta kanë veças edhe me përfaqësues të PS, por gjykoj se absolutisht e domosdoshme ekspertiza të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës duke pasur parasysh edhe një gjë tjetër, që ne jemi një vend në post-monitorim.
Pra, përsëri, ne vëzhgohemi.

About Redaksia

Check Also

Kandidatura e Braçes?/ Berisha: Tirana nuk voton më partinë e krimit në mënyrë përfundimtare

Elda Menga, TCH: Nuk na dhatë një koment për z. Braçe si kandidat. Si u …