Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në rajon/ Bozdo: Qeverisë nuk ia ndjen se çfarë ndodh me qytetarët

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Enno Bozdo ka ngritur shqetësimin për çmimet e karburanteve në vend.

Referuar edhe të dhënave të publikuara nga monitor, Bozdo nënvizon se moskokëçarja e qeverisë për çmimet e larta të karburanteve, është ‘simptoma e një qeverie që nuk do t’ja dijë për se çfarë ndodh me shqiptarët”.

Gjithashtu ai thekson se qeverisë nuk ia ndjen dhe se nuk ka në plan të marrë asnjë masë të re për lehtësim të situatës.

Reagimi i plotë

Moskokëçarja e qeverisë se çfarë ndodh me cmimin e karburanteve, është simptoma e një qeverie e cila prej një dekade nuk do t’ia dijë më se çfarë ndodh me shqiptarët!

Çdo propozimi të Partisë Demokratike për masa fiskale për lehtësimin e çmimit të karburanteve, qeveria prej vitesh i përgjigjet JO!

Shqipëria ka sot naftën më të shtrenjtë në rajon: 219 lekë ose rreth 2.3 euro/litër, nga 2.06 euro në korrik, një rritje prej 0.24 euro ose 21 lekë/litër.

Nafta është 41% më e shtrenjtë se në Maqedoninë e Veriut, 17% më e shtrenjtë se në Serbi dhe 30% mbi mesataren e rajonit prej 1.77 euro/litër.

Barra fiskale është mbi 50% e çmimit, ose mbi 100 lekë/litër, përfshirë akcizën 0.37 euro, TVSH-në 20%, taksën e qarkullimit 27 lekë dhe taksën e karbonit 3 lekë/litër.

Ndërsa Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë të re lehtësuese për ekonominë dhe konsumatorët e saj, Rajoni po ndërhyn për të mbrojtur konsumatorët:

Mali i Zi uli më 25 gusht akcizën me 20% për naftën dhe 5% për benzinën, pasi më 22 mars e kishte ulur me 50% për naftën dhe 25% për benzinën.

Maqedonia e Veriut mban uljen e akcizës me 0.06 euro/litër për naftën dhe 0.03 euro për benzinën, si dhe TVSH-në të ulur nga 18% në 10%.

Serbia ka zgjatur uljen me 20% të akcizës dhe vazhdon të përcaktojë çdo javë çmimin maksimal të naftës dhe benzinës.

Bosnje-Hercegovina ka vendosur kufizimin e marzheve në 0.03 euro/litër në shumicë dhe 0.13 euro në pakicë, ndërsa Kosova mban kufirin e marzhit në 12 cent/litër në pakicë dhe 2 cent në shumicë. Pra, të gjitha vendet e rajonit po përdorin ulje taksash ose kufizim marzhesh për të zbutur çmimin.

Shqipëria si gjithmonë është përjashtimi. Qeverisë si gjithmonë, as që ia ndjen…

Sepse sot, përballë naftës më të shtrenjtë në rajon dhe barrës fiskale prej mbi 50%, qeveria shqiptare nuk ka në plan të marrë asnjë masë të re për lehtësimin e çmimit.

P.S. të dhënat të marra nga Revista Monitor

About Redaksia

Check Also

Berisha publikon denoncimin e 80-vjeçarit nga Delvina: Më kërkuan 2 hyrje për hipotekimin e godinës

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke publikuar …