Spahia: Kanceri po prek gjithnjë e më shumë shqiptarë, Qeveria ua lë faturën e sëmundjes qytetarëve

Deputeti i PD, Bardh Spahia, akuzon qeverinë për financim të pamjaftueshëm të luftës kundër kancerit.

Sipas tij, GLOBOCAN raporton 9,176 raste të reja në 2024, ndërsa për depistimin e kancerit në 2026 janë parashikuar vetëm 400 mijë euro, pesë herë më pak se Serbia për frymë.

Reagimi

Raporti më i fundit i GLOBOCAN 2026 nxjerr në pah një realitet alarmant për Shqipërinë: kanceri po merr gjithnjë e më shumë jetë, ndërsa sistemi shëndetësor nuk po përgjigjet me ritmin dhe standardin që kërkon kjo emergjencë kombëtare.

Vetëm në vitin 2024 raportohen 9,176 raste të reja kanceri, ndërsa Regjistri Kombëtar i Kancerit raporton 7,076 raste. Një diferencë prej mbi 2 mijë rastesh nuk është thjesht një statistikë. Është një alarm serioz për mënyrën se si identifikohen, regjistrohen dhe menaxhohen rastet e kancerit në Shqipëri. Kur vetë shifrat zyrtare nuk përputhen me vlerësimet ndërkombëtare, pyetja është e pashmangshme: sa shqiptarë me kancer po mbeten jashtë sistemit të statistikave dhe, mbi të gjitha, jashtë sistemit të kujdesit?

GLOBOCAN raporton gjithashtu një rritje prej 14.5% të rasteve të reja krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm vazhdojnë të mbeten ndër hallkat më të dobëta të sistemit.

Një studim i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin vlerëson se 17.5% e rasteve të reja të kancerit në Shqipëri lidhen me infeksione, ndërsa 22.5% e vdekjeve nga kanceri i atribuohen faktorëve infektivë, përfshirë HPV dhe hepatitet virale. Kjo e bën edhe më të pakuptimtë mungesën e një politike agresive kombëtare të parandalimit, vaksinimit, depistimit dhe diagnostikimit të hershëm.

Dhe çfarë bën qeveria?

Për vitin 2026 qeveria ka parashikuar të harxhojë afro 40 milion lekë ose 400 mijë euro për depistimin e kancerit të gjirit dhe atë të qafës së mitrës.

Imagjinoni sa fushata depistimi do të realizoheshin sikur qeveria të ndryshonte destinacionin e 4.2 milion euro që u shpenzuan për koncertin e Kanye West.

Para ka por ato vidhen dhe keqpërdoren nga qeveritarët.

Mbi 75 milion euro kushton fatura që shqiptarët kanë paguar për 10 vite të PPP së Check-UP, sa 20 herë më shumë se fushatat e depistimit për kancerin në Shqipëri.

Sipas një përllogaritje të ekspertëve të fushën së shëndetësisë do të duheshin sëpaku 3 milion euro në vit për të ndërmarrë fushata reale kombëtare depistimi.

Këto para do të shpëtonin vërtetë jetë njerëzish!

Sipas të dhënave Shqipëria shpenzon 590$ për frymë për shëndetësinë gati 3 herë më pak se mesatarja rajonale e 8 herë më pak se ajo e vendeve të BE.

Vlerësohet se 110 milion euro shpenzohen për kancerin, dhe duke llogaritur shpenzimet nga xhepi i qytetarëve për shëndetësi në masën 60% rezulton se vetëm 45 milion euro janë shpenzime nga buxheti i shtetit.

Pak më shumë se 45 milion euro qeveria ia akordon vetëm koncesioneve të shëndetësisë. Këto janë shifra, jetët e njerëzve nuk mund të ngelen peng e këtyre shifrave dhe e babëzisë kriminale qeveritare.

Po të krahasojmë me vendet e rajonit vetëm Serbia shpenzon 103 euro për frymë në luftën kundër kancerit, ndërsa ne 5 herë më pak. Në raport me mesataren e BE 12 herë më pak. Ky është realiteti i hidhur.

Lind pyetja se përse kjo situatë kur Edi Rama mashtron prej 13 vitesh Shëndetësi falas, dhe buxhet shteti i rritur 3.5 herë më shumë?

Pra para ka, por ato nuk shkojnë ku është nevoja. Sipas të dhënave të Doganave vetëm për vitin 2025 janë mbledhur 24.9 miliardë lekë të ardhura nga akciza e duhanit ose mbi 250 milion euro. Sa prej këtyre parave u kthyen në shëndetin e qytetarëve që sëmuren pikërisht nga pasojat e duhanit? Sa shkuan për Spitalin Onkologjik? Sa për barna antitumorale? Sa për PET-Scan, akseleratorë dhe brakiterapi? Sa për depistimin kombëtar? Sa për kujdesin paliativ?

Realiteti mbetet I hidhur për qytetarët shqiptarët, pasi ato përballen me barrën më të rëndë të shpenzimeve për trajtimin e sëmundjes. Rreth 73.4% e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi shkojnë për barna, ndërsa shpenzimet shëndetësore i shtyjnë mijëra familje drejt varfërisë ose vështirësive të rënda financiare. Shpenzimet në shëndetësi cojnë rreth 34% të familjeve në varfëri.

Kjo është Shqipëria e “Shëndetësisë falas” që Edi Rama premton prej 13 vitesh.

Një Shqipëri ku qytetari paguan taksat, paguan sigurimet, paguan nga xhepi kur sëmuret dhe, në fund, përballet vetë me faturën e sëmundjes.

Qeveria duhet të japë llogari.

Paratë e taksave të shqiptarëve janë aty. Ajo që mungon është vullneti politik për t’i vendosur në shërbim të jetës.

Prandaj largimi i kësaj qeverie nuk është më thjesht një thirrje politike. Është një emergjencë kombëtare.

Koha e heshtjes ka mbaruar. Koha për t’u ngritur dhe për të kërkuar llogari ka ardhur. Shqipëria nuk mund të presë më.

About Redaksia

Check Also

Partia e Anëtarit, e terrenit dhe alternativës!

Nga Nikola KEDHI U hap një kapitull i ri. Partia Demokratike ka tejkaluar një nga …