Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka analizuar në “Këndin e Fundjavës” arrestimin e Ergys Agasit dhe sistemin politik e ekonomik që, sipas saj, i dha atij pushtet dhe ndikim.
Për Tabakun, Agasi nuk duhet parë si një rast i shkëputur, por si një prej mekanizmave të një skeme më të madhe, e cila gjatë viteve ka lidhur interesat e botës së krimit me pushtetin, tenderat publikë dhe politikën.
“Ergys Agasi nuk është veçse një nga mekanizmat e këtij sistemi. Njeriu, ‘fixer’-i dhe, sipas të dhënave të bëra publike, ndërmjetësi mes botës së errët të krimit dhe pushtetit”, deklaroi Tabaku.
Ajo iu referua materialeve hetimore dhe investigimeve të publikuara, sipas të cilave zyrës së Agasit i atribuohej ndikimi për të përcaktuar fituesit e tenderave në teknologjinë e informacionit, bizneset që duhet të konkurronin, ato që duhet të ankoheshin dhe kompanitë që duhej të tërhiqeshin nga gara.
“Si mund të vendoste një njeri, nga një zyrë private, për tenderat e shtetit, për drejtorët e administratës dhe për bizneset që duhet të garonin? Ky pushtet nuk lind vetvetiu. Nuk mbahet në këmbë pa mbështetje politike”, u shpreh deputetja demokrate.
Sipas Tabakut, arrestimi i një individi, sado i rëndësishëm të jetë ai, nuk mjafton për ta çmontuar skemën.
“Mekanizmi mund të zëvendësohet, zyra mund të ndryshojë dhe ndërmjetësi mund të ketë një emër tjetër. Por skema vazhdon të funksionojë për sa kohë mbetet në këmbë arkitekti që e ka ideuar, ndërtuar dhe mbrojtur atë”, theksoi ajo, duke e vendosur përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama.
## Tri kolonat që mbajnë sistemin
Tabaku argumentoi se sistemi është ngritur mbi tri kolona kryesore, të cilat financojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën.
Kolona e parë, sipas saj, është paraja e zezë dhe lidhja me botën e krimit. Kjo para futet në ekonomi, pastrohet përmes ndërtimeve, pronave dhe shërbimeve, ndërsa më pas kërkon të përfitojë edhe nga buxheti i shtetit.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për para që kërkojnë të pastrohen. Bëhet fjalë për para që kërkojnë pushtet. Sepse kush kontrollon paratë, kërkon të kontrollojë edhe vendimmarrjen”, deklaroi Tabaku.
Kolona e dytë është ekonomia e kapur dhe e privilegjuar, ku një rreth biznesesh përfitojnë tendera publikë, koncesione, kontrata PPP dhe leje ndërtimi pa konkurrencë reale.
Sipas Tabakut, fituesit nuk përcaktohen gjithmonë nga oferta më e mirë, pasi kriteret hartohen në favor të kompanive të paracaktuara, ndërsa bizneset e ndershme largohen nga gara.
“Fituesi është vendosur përpara se të hapen zarfet”, tha ajo, duke shtuar se kompanitë e favorizuara paguajnë dy lloje “taksash”: atë të korrupsionit dhe atë elektorale.
E para, sipas saj, shkon për funksionarët dhe ndërmjetësit që hapin dyert, hartojnë kriteret dhe firmosin kontratat. E dyta aktivizohet gjatë fushatave zgjedhore, kur bizneseve përfituese u kërkohet të vendosin në dispozicion para, njerëz, mjete dhe ndikim për të mbajtur në pushtet partinë që i ka favorizuar.
Tabaku risolli në vëmendje edhe komunikimet e bëra publike nga dosja e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ku Mirel Mërtiri shfaqej duke shkruar: “Urime PS Përmet!”
“Qeveria jep tenderin. Biznesi fiton paratë publike. Një pjesë e tyre kthehet në ndikim dhe mbështetje elektorale. Pushteti fiton zgjedhjet dhe më pas shpërndan tenderat e radhës”, shpjegoi deputetja.
Kolona e tretë është ajo politike dhe mediatike. Tabaku bëri dallimin mes gazetarëve të lirë dhe përpjekjes së sistemit për të kontrolluar debatin publik, relativizuar skandalet dhe zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësit.
“Kjo nuk do të thotë se çdo gazetar dhe çdo media është pjesë e skemës. Përkundrazi, ka gazetarë dhe media që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të zbuluar faktet. Por sistemi investon që zërat kritikë të mbeten të izoluar dhe propaganda të ketë më shumë hapësirë se e vërteta”, tha ajo.
## “Korrupsioni është fatura që paguan çdo familje”
Tabaku theksoi se i gjithë sistemi financohet nga taksat e shqiptarëve, duke u hequr familjeve mundësinë për të pasur shëndetësi, arsim dhe shërbime publike më të mira.
“Korrupsioni nuk është një koncept abstrakt. Është ilaçi që mungon në spital, shkolla pa kushtet e duhura, rruga që paguhet disa herë më shtrenjtë dhe biznesi i vogël që mbyllet sepse nuk konkurron dot me të privilegjuarit”, deklaroi ajo.
Sipas deputetes demokrate, kryeministri përpiqet të distancohet sa herë shpërthen një skandal, duke sakrifikuar një drejtor, mohuar një ministër apo pretenduar se nuk ka pasur dijeni.
“Ky sistem është pjella e tij. Nuk mund të drejtosh vendin për kaq shumë vite, të kontrollosh çdo vendim, emërim dhe investim të madh dhe më pas të pretendosh se të gjithë kanë vepruar pas shpinës tënde”, u shpreh Tabaku.
Ajo kërkoi që hetimet të mos ndalen vetëm te ndërmjetësit, por të shkojnë deri te urdhëruesit, përfituesit dhe përgjegjësit politikë.
“Shqipëria ka nevojë për tendera ku fituesin ta përcaktojë oferta më e mirë dhe jo telefoni i pushtetit. Ka nevojë për fundin e koncesioneve, PPP-ve dhe ligjeve me porosi, si dhe për një administratë ku drejtori t’i përgjigjet ligjit dhe qytetarit”, tha Tabaku.
Në përfundim, ajo e cilësoi përballjen me këtë sistem si një betejë për t’ua kthyer shtetin qytetarëve.
“Shqipëria nuk mund të vazhdojë të jetë e prangosur nga një sistem që ushqehet me taksat tona. Është koha t’i thyejmë këto pranga dhe t’ua kthejmë shtetin shqiptarëve”, përfundoi Jorida Tabaku.
Gazeta RD