Berisha: Vuçiç po përdor për qëllime elektorale kufomën e monstrës së Bosnjës, Ratko Mlladiç

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, përmes një statusi publik akuzon presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, dhe drejtues të tjerë në Beograd për glorifikimin e Ratko Mlladiç, të dënuarit me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte. Berisha e cilëson këtë qëndrim si të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa i bën thirrje Gjykatës së Hagës të mos lejojë që varrimi dhe figura e Mlladiç të shfrytëzohen për qëllime elektorale dhe propagandistike.

Reagimi i plotë

Aleksander Vuçiç përdor për qëllime elektorale kufomën e monstrës së Bosnjës.
Glorifikimi në Beograd i Ratko Mladiç, orkestruesit të gjenocidit të Srebrenicës, është ushqim i rrezikshëm për psikologjinë e kombit serb.

Të dashur miq, prej një jave Presidenti i Serbomadhisë, Aleksandër Vuçiç, dhe drejtues të tjerë serb po qajnë e vajtojnë vdekjen në një spital të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë të kasapit të Bosnjës, Ratko Mladiç, si dhe po glorifikojnë figurën e tij. Ata sulmojnë gjykatën dhe spitalin se nuk e lejuan të mjekohej në Beograd, ndërsa tani kanë paraqitur kërkesë zyrtare pranë Gjykatës për të marrë trupin e tij, me qëllim që ta varrosin me nderime të larta ceremoniale, shtetërore dhe ushtarake këtë monstër të njerëzimit.
Rikujtoj këtu se Ratko Mladiç është i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për orkestrimin e masakrës së vitit 1995, në të cilën u vranë të paktën 8,000 djem dhe burra myslimanë në Srebrenicë, një “zonë e mbrojtur” nga OKB-ja në Bosnjë. Kjo masakër konsiderohet mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Mladiç udhëhoqi gjithashtu bombardimin me artileri për tre vjet me radhë të Sarajevës së rrethuar nga ushtria serbe, duke vrarë kështu në kryeqytetin e Bosnjës të paktën 10,000 fëmijë, gra dhe burra të paarmatosur.
Glorifikimi i autorit kryesor të gjenocidit të Srebrenicës dhe rrethimit te Sarajeves dëshmon edhe një herë se për elitën kriminele dhe nacionalistët primitivë serbë, gjenocidi dhe shfarosja për motive etnike e kombit tjetër është lavdi. Ky qëndrim dëshmon rrezikun e madh që paraqet udhëheqja e Beogradit, me psikologjinë e saj primitive ultranacionaliste, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ky akt është festa e xhelatit mbi varret e viktimave të tij të pafajshme dhe një fyerje e rëndë për ndërgjegjen njerëzore të kombeve të lira. Duke denuar me forcën më të madhe këto qendrime të verbëta rraciste kriminale të presidentit të serbomadhisë Vuçiç dhe bashkëpunëtorve të tij i bëj thirrje Gjykatës së Hagës të mos lejojë përdorimin e kufomës së monstrës serbe të Ballkanit për të ushqyer psikologjinë gjenocidale të ultranacionalistëve serbë dhe shfrytëzimin e saj për qëllime elektorale prej tyre.

About Redaksia

Check Also

Harari e ka denoncuar, nuk e ndihmon dot Edi Ramën!

Nga Belind KELLIÇI Edi Rama u përpoq ta vendosë historianin e njohur në anën e …