10 të vdekur nën kujdestarinë e shtetit në vetëm 8 muaj!

Franci NURI – Sekretar për të Drejtat e Njeriut në PD

Vetëm gjatë 8 muajve të parë të vitit 2026, të paktën 10 persona kanë ndërruar jetë ndërsa ndodheshin të arrestuar, të paraburgosur apo duke vuajtur dënimin në institucionet e shtetit shqiptar.

Rasti i sotëm në Vlorë është alarmues. Një 32-vjeçar, i arrestuar dy ditë më parë, u gjet në gjendje të rëndë në dhomat e shoqërimit të Komisariatit dhe ndërroi jetë pas transportimit në spital.

Por ky nuk është rast i izoluar.

Në mars, një 41-vjeçar ndërroi jetë në Bllokun e Sigurisë së Policisë në Tiranë, vetëm dy ditë pas arrestimit. Komiteti Shqiptar i Helsinkit evidentoi më pas se ai ishte dërguar tri herë në spital dhe ngriti shqetësime lidhur me zbatimin e rekomandimeve mjekësore.

Në shkurt, një tjetër shtetas, i cili ndodhej në ambientet e sigurisë së Komisariatit të Durrësit në pritje të transferimit në IEVP, shfaqi probleme shëndetësore dhe më pas humbi jetën në spital.

Dhe lista vazhdon në burgjet dhe paraburgimet e vendit.

Nga janari deri më 31 gusht, raste vdekjesh janë raportuar në ose në lidhje me IEVP Burrel, Shkodër, Korçë, Lezhë dhe Fier, përfshirë persona të transportuar nga institucionet drejt spitaleve ku më pas kanë ndërruar jetë.

10 jetë të humbura në 8 muaj nën kujdestarinë e shtetit nuk mund të kalojnë thjesht si kronikë e zezë.

Për çdo person të privuar nga liria, shteti merr përsipër përgjegjësinë për jetën, sigurinë, integritetin dhe kujdesin shëndetësor të tij.

Neni 2 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut garanton të drejtën për jetën dhe vendos mbi shtetin detyrime serioze për mbrojtjen e saj.

Për çdo vdekje nën kujdestarinë e shtetit duhet hetim i plotë, efektiv, i pavarur dhe transparent.

10 persona në 8 muaj.

Shteti duhet të japë llogari!

About Redaksia

Check Also

Rama bën të fortin këtu e përulet jashtë! SPAK ta arrestojë bashkë me Ballukun brenda shtatorit!

Në vijim të fjalimeve përballë godinës së ekzekutivit, një nga protestuesit ka lëshuar akuza të …