Në ditën e 94-t të protestës qytetare para Kryeministrisë, ku qytetarët bllokuan për rreth dy orë në zyrë Edi Ramën, policia ka arrestuar 14 persona dhe ka proceduar penalisht 3 të tjerë.
Të arrestuarit janë: Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.
Aktivisti Andi Tepelena duke folur për SYRI TV ka paralajmëruar përshkallëzimin e mosbindjes civile dhe duke u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës.
Tepelena ka treguar se tensionet pranë Kryeministrisë nisën pasi protestuesit u njoftuan për praninë e kryeministrit Edi Rama në godinë.
Sipas tij, disa aktivistë janë drejtuar drejt hyrjes së Kryeministrisë për t’u përballur me eskortën e kryeministrit, ndërsa më pas shumica e protestuesve kanë ndryshuar drejtimin dhe janë mbledhur pranë godinës.
Sipas Tepelenës, zhvillimet e së martës ishin pjesë e një strategjie të paralajmëruar nga aktivistët për fillimin e shtatorit. Ai deklaroi se protesta qytetare do të hyjë në një fazë të re, me përshkallëzim të mosbindjes civile.
Aktivisti u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës dhe të marrin pjesë në aksionet e ardhshme qytetare.
‘Na njoftuan që Rama kishte hyrë në Kryeministri, disa nga aktivistët, kështu që në atë moment disa shkuan për t’i dalë përpara, për t’u përballur direkt me eskortën e Kryeministrit.
E nga ai moment, pjesa, shumica dërrmuese e protestuesve që ishin drejtuar si zakonisht tek qendra e zërit, u drejtuan rreth tek hyrja e Kryeministrisë. Dhe filloi patjetër përplasja me forcat e policisë, disa u goditën nga protestuesit.
Kështu që ishte një lëvizje të cilën ne e kishim parashikuar në fillimin e shtatorit për përshkallëzimin e mosbindjes civile. Po kjo ishte edhe një shenjë që mosbindja civile do fillojë të përshkallëzohet edhe më shumë.
Përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve t’i bashkohemi protestës, të përshkallëzojmë mosbindjen civile, deri në dorëzimin pa kushte të Kryeministrit Rama. Rrugë tjetër nuk ka, koha e fjalëve ka mbaruar, koha e fjalimeve ka mbaruar.
Është thënë gjithçka, shqiptarët kanë thënë gjithçka. Është momenti që të dalin nga shtëpia, të lënë njerëzit rehatinë e t’i kthehen protestës, derisa të rrethohet në mënyrë demokratike Kryeministria dhe Kryeministri të largohet nga zyra e tij.’, u shpreh Andi Tepelena.
Gazeta RD