Protesta e 95-të/ Një bandë hajdutësh ka marrë peng shtetin! Ndërkombëtarët të reagojnë!

Me thirrjet “arrestoni Ramën” protestuesit vijuan edhe sot në ditën e 95-të të protestës. Njëri prej tyre nga foltorja bëri thirrje për lirimin e protestuesve të arrestuar dje nga policia, ndërsa i bënë thirrje dhe ndërkombëtarëve të reagojnë.

Një mesazh kishte dhe për efektivët e policisë, duke i kërkuar të mos bëhen mashë për të mbrojtur këtë ‘bandë hajdutësh që ka marrë peng shtetin’.

Protestuesi u bëri thirrje shqiptarëve të ngrihen sot kundër kësaj të keqeje se nesër do të jetë shumë vonë. “Sepse sot është dita për të qëndruar dhe për të mbrojtur dinjitetin. Sepse Shqipëria nuk shpëtohet nga ata që heshtin, por nga ata që kanë guximin t’i dalin përballë të keqes.”

Fjalimi

“Fillimisht i bëjmë thirrje policisë së shtetit të lirojë të gjithë të arrestuarit, sepse nuk janë kriminelë, as banditë, por janë qytetarë të denjë të këtij vendi dhe thjesht kanë protestuar për një Shqipëri më të mirë. I bëjmë thirrje gjithashtu prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, që ata ta ndjekin me vëmendje këtë situatë dhe të monitorojnë respektimin e të drejtave themelore të çdo personi të arrestuar apo të ndaluar.

Ndërsa për sa i përket asaj që ndodhi dje, u pa shumë qartë se si funksionon shteti në Shqipëri. Një bandë hajdutësh që ka marrë peng shtetin dhe një polici me në krye horra që e kanë kthyer policinë e shtetit në polici private në shërbim të pushtetit.

Ne dje shkuam t’i thonim Edi Ramës që nuk të njohim si kryeministër dhe që nuk je i denjë të na përfaqësosh.

Si qytetarë të thjeshtë as nuk goditëm dhe as nuk dhunuam njeri, vetëm bëmë thirrje dhe ngritëm zërin. Ne i treguam Edi Ramës se kush është zoti i këtij vendi dhe ai nga frika dhe urrejtja që ka për këto qytetarë, nga frika se po i vjen fundi, urdhëroi policinë që të spastronin protestuesit.

Çfarë mendoi se do të priste kur të vinte këtu? Një shesh bosh? Njerëzit që do të kishin harruar, apo mendoi se vera do të na kishte shkrirë zërin?

Ndërsa ti rrije në hije në vilat qeveritare dhe po xhiroje me skaf, ne kemi ndenjur gjithë verën këtu në të nxehtë. Ne nuk do të ndalemi. Sado i fortë të jetë pushteti yt dhe sado e madhe të jetë arroganca jote, sepse nuk kemi frikë nga hije jote. Dhe për aq kohë sa shpirti hyn e del me frymë, ne do të jemi këtu në shesh.

Ndërsa për efektivët e policisë së shtetit, ju bëj thirrje si dikush që ndan hallet e njëjta me ju. Mos harroni se keni bërë betim për t’i shërbyer atdheut dhe për të mbrojtur qytetarët, dhe jo për të qenë mashë, as për të qenë një grup i organizuar kriminal.

Prandaj qytetarëve të thjeshtë mos iu sillni si terroristë. Mos e ktheni uniformën e shtetit në leckë që këta horra të fshijnë pistillqet e tyre. Mos bini në kurthin e skandaleve të askujt, sepse shefi juaj mund t’ju japë një urdhër, por ndërgjegjja është e juaja. Mos harroni të mendoni si njerëz të thjeshtë, sepse në fund të ditës, kur të mbaroni turnin, do të hiqni uniformën dhe do ktheheni te familjet tuaja. Do të shihni fëmijët tuaj dhe do të shikoni realisht se kujt i keni bërë dëm. Fëmija që sot ju po dëmtoni, nesër mund të prekë familjen tuaj.

Shteti që ju sot lejoni të shkatërrohet, nesër nuk do të jetë aty për t’ju mbrojtur. Mos lejoni që fëmijët tuaj të jetojnë në një vend ku policia e shtetit është dhunuese e popullit. Bëhuni mbrojtës të Shqipërisë dhe jo mburojë e atyre që e kanë marrë peng këtë vend. Dua t’ju bëj një thirrje të gjithë shqiptarëve: O shqiptarë, kudo që të jeni, ngrihuni kundër kësaj të keqeje. Ngrihuni sot se nesër do të jetë shumë vonë. Dilni përballë dhe mos prisni që kjo e keqe t’ju vijë në shtëpi. Ngrihuni dhe protestoni sepse shqiptarët nuk e meritojnë këtë lloj qeverisje. Mos e lini frikën t’ju shkatërrojë të ardhmen. Mos e lini heshtjen t’ju vrasë shpresën. Sepse sot është dita për të qëndruar dhe për të mbrojtur dinjitetin. Sepse Shqipëria nuk shpëtohet nga ata që heshtin, por nga ata që kanë guximin t’i dalin përballë të keqes.

 

About Redaksia

Check Also

Ish-ministri i Ramës/ Protesta, shpërthim i pakënaqësi së madhe popullore ndaj qeverisë

Ditmir BUSHATI Sikurse shumë prej revolucioneve të Europës Lindore, protestat në Shqipëri nuk nisën me …