Vasili: Rama, kompani monstër për tenderat që kthen Shëndetësinë në një bankomat të tij!

Nga Petrit VASILI

Shëndetësia publike po përjeton ngjarje nga më të rëndat që lidhen me mungesën e shërbimit ndaj qytetarit. Këto ngjarje nuk kanë kursyer jetën dhe shëndetin, ku vetëm ditët e fundit ndodhën dy të tilla me pasoja tragjike në Pogradec dhe në Vaun e Dejës.

Konkluzioni vetëm i dy ngjarjeve të fundit është se pa një shëndetësi funksionale në nivel bashkie dhe qarku, nuk mund të ketë absolutisht siguri për shëndetin e qytetarëve.

Konkluzioni tjetër i madh është që supercentralizimi është vrasja reale e sistemit shëndetësor.

Por Rama supercentralizimin dhe rrëmbimin e fondeve dhe kompetencave në një grusht e ka të vetmin objektiv të tij.

Ndërkohë që gjendja e sistemit shëndetësor kombëtar vetëm rëndohet dhe qytetarët paguajnë shifra të frikshme nga xhepi i tyre që shkojnë deri në 60%, Rama ngre Kompaninë shtetërore që do të bëjë të gjitha tenderat.

Kujdes!!

Shumë personazhe publike e quajnë në mënyrë të gabuar Kompaninë e përqendruar të Barnave, por e vërteta është se barnat janë vetëm një pjesë e objektit të saj, sepse ajo do të blejë gjithçka.

Lexoni objektin e saj:

– “Shoqëria shtetërore ka për objekt të veprimtarisë plotësimin e nevojave të institucioneve publike të kujdesit shëndetësor për barna, pajisje mjekësore, produkte të tjera shëndetësore, mallra dhe shërbime mbështetëse, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së furnizimit, përdorimin eficient dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe sigurimin e cilësisë dhe disponueshmërisë së produkteve të furnizuara,” thuhet në draft.

Pra, Kompania monstrë e Ramës do të blejë edhe barna, edhe pajisje mjekësore, edhe shërbime, edhe mallra, edhe produkte të tjera, pra gjithçka.

Më tej, ja çfarë shkruajnë:

– “Për realizimin e objektit të saj, shoqëria krijon shoqëri të tjera ose merr pjesë në kapitalin e shoqërive të tjera tregtare, publike ose private, që kanë si objekt prodhimin dhe/ose tregtimin e barnave, pajisjeve mjekësore, produkteve të tjera shëndetësore dhe kryerjen e veprimtarive të lidhura me to.”

Shëndetësia pushon së qeni shërbim, por kthehet në një plaçkë tregu që e shet dhe e blen Kompania monstrë e Ramës.

Kooperativa do të hyjë në pazare edhe me kompani private, dmth. pazari i gjësë së gjallë.

– Po përse askund në Europë në shëndetësi nuk e bën askush këtë?

– Po si mund të realizohet Autonomia Spitalore dhe Rajonalizimi i Shërbimit Shëndetësor, kur krijohet superkompania e vjedhjes së centralizuar?

– Po a ekzistojnë ligje për konkurrencën, transparencën e tenderave?

– Po a i ka në grushtin e saj aktualisht të gjitha barnat Ministria e Shëndetësisë dhe mungesat e tyre vazhdojnë nëpër spitale?

– Po a janë të ndryshme dhe specifike realitetet nëpër spitalet dhe qendrat shëndetësore anë e mbanë vendit?

– Përse e shkatërruan Rajonalizimin dhe autonominë shëndetësore të viteve 2009–2012, kur barnat bliheshin nga vetë spitalet dhe aspak nga Ministria e Shëndetësisë dhe qendrat shëndetësore ishin me llogari më vete, si dhe emërimet bëheshin nga vetë strukturat lokale?

– Përse i tremb kaq shumë autonomia dhe pavarësia funksionale rajonale?

– Përse vazhdojnë në këtë rrugë ndërkohë që shëndetësia është kthyer në shembullin më tipik të korrupsionit?

– Përse nuk nxorën mësime nga Covidi, ku lanë vetëm, pa barna dhe shërbime, qindra mijë qytetarë në banesat e tyre?

– Përse bëjnë sikur harrojnë tenderat sekrete superkorruptive të kohës së Covidit, që u bënë me dhjetëfishin e çmimeve?

Përfundim:

Shëndetësia është kthyer nga Rama në një bankomat, nga ku grabiten miliona e miliona euro.

Kjo Kompani shtetërore monstrë duhet të ndalet me çdo kusht.

Këta dështakë të korruptuar, të paaftë dhe të paturp, që për 14 vjet shkruan vetëm faqe të errëta në shëndetësi, duhet të ndalen, sepse boll luajtën me jetën dhe shëndetin.

Shqiptarët nuk mund të paguajnë më me jetën dhe shëndetin e tyre për shkak të pangopësisë korruptive të këtyre sharlatanëve.

About Redaksia

Check Also

Komplote të reja të fqinjëve ndaj Edi Ramës!!!

Nga Belind KELLIÇI Qeveritë fqinje kanë ndërmarrë disa komplote dhe lëvizje të forta kundër Edi …