Deputeti i PD, Klevis Balliu, akuzoi qeverinë dhe Policinë e Shtetit për arrestimin e protestuesve që prej 96 ditësh protestojnë kundër korrupsionit dhe mungesës së transparencës.
Para Komisariatit, Balliu tha se të rinjtë janë marrë në mënyrë të padrejtë, ndërsa theksoi se dhuna ndaj tyre vjen nga pushteti.
Balliu denoncoi gjithashtu Komisariatin nr. 3 për mënyrën e trajtimit të protestuesve, duke sjellë në vëmendje edhe raste të mëparshme të dhunës brenda ambienteve të policisë.
Deklarata
Patëm pamundësinë të takojmë protestuesit, të cilët janë marrë në mënyrë të padrejtë dhe në mënyrën më kriminale të mundshme. Dhe duhet specifikuar që këta janë protestues të cilët prej 96 ditësh protestojnë në mënyrën më paqësore dhe e vetmja dhunë që shikohet, shikohet nga ana e pushtetit, nga ana e qeverisë, kundrejt disa të rinjve dhe të rejave, të cilat në fund të ditës po kërkojnë gjëra elementare të një shteti normal, siç janë e drejta e fjalës, përfaqësimi, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit dhe largimi i pushtetit politik nga pushteti kriminal. Në këtë aspekt, mbajtja e tyre sot në qelitë e paraburgimit është një turp për të gjithë ne.
Është e patolerueshme që sot në qelitë e paraburgimit janë këta protestues, të rinj dhe të reja, dhe nuk është Belinda Balluku, nuk është Edi Rama, nuk janë ata hajdutë që vjedhin çdo ditë paratë e qytetarëve shqiptarë. Në këtë aspekt duhet t’ju rikujtoj këtu se jemi dhe afër rajonit numër tre. Ju e patë fare mirë se si ishte, një nga arrestimet më të pashpjegueshme në historinë e të gjitha arrestimeve, një qytetar që thjesht po filmonte u mor zvarrë nga tre efektivë të rajonit numër tre, me urdhër të shefit të rajonit numër tre.
Dhe pse e specifikoj? Ky rajon është bërë problem për qytetarët. Dua t’ju kujtoj këtu dhe protestuesin që para dy muajsh është goditur me grushta brenda furgonit të policisë nga eksponentë përsëri të rajonit numër tre të policisë së shtetit. Është sulmuar me grushta nga njerëz civilë që ndodheshin brenda furgonit të policisë. Ka qenë, në mos gaboj, zotëria quhej Arbër Lleshi, i cili u dhunua brenda furgonit pas arrestimit.
Ky rajon është bërë problematik sepse udhëzimi dhe urdhrat për dhunimin e protestuesve nga Edi Rama dhe i gjithë zinxhiri komandues i policisë së shtetit vjen dhe përkthehet këtu, pikërisht në këtë rajon që është dhe përgjegjësi për arrestimet më të shumtuara të para ndonjëherë në historinë e vendit. Fakti mbetet, këta qytetarë kanë bërë një protestë, vazhdojnë dhe protestojnë në interes kombëtar, përtej flamujve politikë. Janë atje vetëm për Shqipërinë dhe për të dhënë mendimin e tyre dhe për të mbrojtur vendin nga kthetrat e hajdutëve që e vjedhin sot çdo ditë.
Gazeta RD