Spahia: 8 pyetje publike për Evis Salën për largimin nga posti i ministres

Nga Bardh SPAHIA

Largimi i djeshëm nga detyra nuk mund të mbyllet thjesht me një falenderim protokollar apo me fraza boshe administrative. Kur bëhet fjalë për shëndetësinë publike dhe jetën e qytetarëve, llogaridhënia nuk është opsion, por detyrim kushtetues dhe moral.

Përtej njoftimeve zyrtare, mbeten pezull disa pyetje të drejtpërdrejta publike për ish-ministren e cila vetëm pak kohë më parë deklaronte se po mundohej të kuptonte problematikat e shkaqet e gjendjes së sistemit shëndetësor dhe se “e mundura nuk ishte e pamundur të bëhej e mundur”:

A ishte vendimi i fundit konfirmim i faktit që është e pamundur të ndryshojë dicka në sistemin shëndetësor shqiptar të zhytur në korrupsion, përsa kohë ky korrupsion kontrollohet dhe drejtohet nga vetë kryeministri?

A erdhi kjo dorëheqje (shkarkim) pas përplasjeve mbi vendimin e Edi Ramës për futjen e “operatorit të ri” në tregun shëndetësor si mënyrë për të kontrolluar çdo tender dhe koncensionet që po gëlltisin buxhetin e shtetit?

Cili është roli dhe lidhja e Edi Ramës me konsulentët e huaj (përfshirë shtetasin izraelit Sani Sanilevich të përfolur gjerësisht në korridoret e dikasterit) në vendimmarrjet për investimet strategjike?

Çfarë konkretisht ju kërkoj dhe çfarë nuk ju la të realizonit Edi Rama gjatë mandatit tuaj? Ku ndodhi thyerja e besimit?
​Pse u emëruat realisht? Cili ishte misioni apo projekti specifik për të cilin u përzgjodhët në krye të këtij dikasteri. Reforma strukturore apo ruajtja e status-quo-së së tenderëve?

A shërbeu mandati juaj për të neutralizuar apo kontrolluar zërin e shoqërisë civile në sektor, duke shfrytëzuar lidhjet dhe ndikimin e krijuar ndër vite?

A ishit pro apo kundër skemës së përqendrimit të blerjeve në shëndetësi, që kufizon garën dhe favorizon operatorët e paracaktuar?

A keni pasur presione apo kërcënime nga kryeministri Rama dhe paraardhësit tuaj në detyrë për të mos dëshmuar dhe për të mos bashkëpunuar me SPAK-un mbi dosjet e hapura të sterilizimit, check-up-it dhe laboratorëve?

A keni denoncuar ndonjëherë zyrtarisht abuzimet që gjetët në tryezë, apo zgjodhët kompromisin e heshtur deri në ditën e largimit?

Shëndetësia shqiptare nuk mund të trajtohet si departament i transferimit të parave publike në llogari private. Qytetarët meritojnë trajtim dinjitoz dhe transparencë. Heshtja e sotme është bashkëfajësi e nesërme.

Zonja Sala për një mjek nuk ka asgjë më të shenjtë se shëndeti dhe jeta e njeriut, të dalësh sot e tu thuash të vërtetën shqiptarëve që luftojnë për jetën do ishte në një farë mënyre të bësh të “pamundurën të mundur”.
VERITAS VOS LIBERABIT.

About Redaksia

Check Also

“Flamingo Mirror” si propaganda në pasqyrë

Nga Luçiano BOÇI Rama premton se “brenda disa javësh” do t’u tregojë shqiptarëve transparencën për …