Nga Luçiano BOÇI
David Nikolli, kampion Ballkani, fitues i tetë medaljeve dhe mbajtës i 12 rekordeve kombëtare, denoncon se është lënë jashtë Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, megjithëse ishte përgatitur prej një viti dhe vetëm pak kohë më parë ishte shpallur përsëri kampion kombëtar.
Akuza e tij është tronditëse!
Ai u bë “sportist i padëshiruar” pasi mori pjesë në protestat kundër qeverisë dhe madje u prononcua.
Por sporti matet me kronometër dhe jo me bindje politike.
Fanella e Kombëtares e Nikollit është fituar me djersë dhe rezultate.
Kur një kampion ndëshkohet sepse protestoi, atëherë jemi para përdorimint të Kombëtares si pronë e partisë dhe përdorimit të flamurit kombëtar si shpërblim për nënshtrimin.
Liria për të protestuar nuk është shkelje disiplinore. Shteti nuk është pronar i sportistit dhe Edi Rama nuk është pronar i fanellës kuqezi.
Ministria, KOKSH-i dhe Federata duhet të publikojnë të gjithë dokumentacionin dhe të lejojnë një verifikim të pavarur të përzgjedhjes.
Nëse rezultatet sportive e kualifikonin David Nikollin, vendimi duhet të korrigjohej dhe përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi.
David Nikolli nuk kërkon privilegj. Kërkon që djersa dhe rezultatet e tij të mos dënohen për shkak të zërit të lirë.


Gazeta RD