Ofendimi i Ramës ndaj një mjeku dhe njeriu të dijes/ Ja kushtoi jetën shërbimit

Klodi STRALLA
“Deputetët nuk duhet të bëjnë Arqile Botin!”
Kështu u shpreh sot Naltgjatësia i gjithëditur në takimin e tij me deputetët dhe kabinetin qeveritar. E kishte fjalën për deputetët e tij që bëjnë të gjithëditurin (në shembullin e tij) dhe nuk u lenë vend specialistëve të fushës ta thonë fjalën e tyre.
Ndërsa konstatimi qendron (kjo vlen më shumë për atë vetë) përmendja e dr. Arqile Botit si ilustrim i saj mu duk banal, i papërshtatëshëm por edhe cinik, për një personalitet të tillë të dijes dhe mjekësisë tone. Kështu është kur në delir (ose panik) nuk i peshon ato që thua dhe kur gojën e përdor edhe si jashtëqitje – siç u shpreh për të kohë më parë në Parlament, ish deputetja Grida Duma.
Po kush ishte dr.Arqile Boti?
Dr. Arqile Boti (1939 – 2010) ishte një mjek i shquar shqiptar, i njohur gjerësisht si pionier i kombinimit të mjekësisë moderne me mjekësinë alternative dhe kurat natyrale në Shqipëri. Ai fitoi një popullsi të jashtëzakonshme për shkak të shërbimit të tij të palodhur ndaj njerëzve të thjeshtë dhe të varfër.
Lindi në fshatin Bularat të Dropullit të Sipërm. Pasi përfundoi gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, u diplomua me rezultate të shkëlqyera për Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Tiranës në fillim të viteve ’60.
Punoi fillimisht si mjek patolog në Qukës të Librazhdit. Me urdhër të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, u transferua si mjek urgjence në Poliklinikën Qendrore në Tiranë. Më vonë, shërbeu në Baldushk dhe në zona të tjera rurale me dëshirën e tij për t’u qëndruar pranë njerëzve në nevojë.
Dr. Boti u bë i njohur për integrimin e suksesshëm të metodave natyrale, si akupunktura dhe përdorimi i bimëve mjekësore, duke trajtuar rreth 1 milion pacientë gjatë karrierës së tij. Ai shpesh shfaqej në emisione televizive për të ndarë këshilla shëndetësore.
Përvoja e tij u përmblodh në librin e tij të njohur botuar nga shtëpia botuese Plejad, Manual Praktik I Mjekesise Alternative, si dhe shumë libra të tjerë me vlera praktike.
Dr. Arqile Boti u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare, më 12 korrik 2010, pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri.
Unë e kam njohur personalisht dhe kam patur rastin ta dëgjoj e vlerësoj për punën e tij fisnike dhe erudicionin e gjere, ndaj po reagoj se nuk u ndjeva mirë.
Ta bënte këtë krahasim dikush tjetër, që nuk e njihte dhe s’kish dëgjuar për doktor Arqilenë, edhe i falej, por jo Edi Ramës, një qytetari i lindur dhe rritur në Tiranë.

About Krye Redaktor

Check Also

Si qeveria futi në konflikt të armatosur dy biznesmenët përmes Hipotekës

Një konflikt për një pronë në Palasë ka përfunduar deri në përplasje mes dy biznesmenëve, …