Leskaj: Rama flet për plagët që i ka bërë vetë administratës publike!

Nga Bujar Leskaj

Pas 13 vitesh në pushtet, kryetari i sektit në pushtet foli sot për tri plagë të administratës dhe të shtetit shqiptar: administratën labirint, mungesën e memories institucionale dhe bindjen se njohja vlen më shumë se merita.
Nëse këto janë vërtet tri plagët kryesore të administratës publike shqiptare sot, atëherë pyetja e pashmangshme është: Kush e ndërtoi këtë administratë gjatë 13 viteve të qeverisjes së sektit Rama?
Tre plagët nuk janë probleme që kanë lindur dje. Nuk janë dukuri të trashëguara nga një qeverisje e para 13 vitesh. Janë plagë që vetë kryeministri dhe sekti i tij ia kanë infliktuar administratës publike, pas një periudhe të gjatë qeverisjeje.
Rama pranoi se administrata publike është shndërruar në një labirint për qytetarin. Por një labirint nuk krijohet vetvetiu. Ai krijohet nga rregulla të komplikuara qëllimisht, për tբ nxitur zhvatjen dhe korrupsionin. Labirinti krijohet nga procedura të mbivendosura, institucione që qëllimisht nuk komunikojnë hapur dhe si duhet me njëri-tjetrin, për ta rrjepur pulën-qytetar seicili në grazhdin e vet. Labirinti është krijim i një antikulture administrative, ku qytetarit i del përpara patronazhisti-përfaqësues institucioni, për fitim pikësh zgjedhore për marrjen e votës, ndryshe qytetari mund të vazhdojë të endet si beduini në shkretëtirë, për të gjetur zyrën që duhet t’i zgjidhë problemin.
Plaga e dytë e pranuar nga Rama është mungesa e memories institucionale. Dhe përsëri pyetja politike është e thjeshtë: Pas 13 vitesh në qeverisje, pse administrata publike ende nuk e ka fituar këtë kujtesë institucionale?
Një qeveri që pretendon se ka investuar fuqishëm në teknologji (me skandale si Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, & co., parku teknologjik Durana, etj.), duhej ta kishte shndërruar digjitalizimin jo vetëm në një mënyrë për të ofruar shërbime online, por edhe në një mekanizëm për të krijuar memorien elektronike të shtetit. Pse sekti Rama nuk e ka bërë ende, edhe pse për digjitalizimin në 10 vitet e fundit janë shpenzuar me qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve?!
“Lideri Global” përmendi sot edhe plagën e tretë: në kët shtet të sektit të tij “Njohja vlen më shumë se merita”. Lind pyetja: është thjesht dhe vetëm plagë, apo aktakuzë për veten dhe sektin tënd?!
Kjo është një plagë që prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te shteti. Nëse një i ri me arsim, aftësi dhe rezultate beson se për të hyrë apo avancuar në administratë duhet të ketë lidhje politike, familjare apo personale, atëherë sistemi i meritës është në krizë. Dhe patronazhistët e Ramës dhe sektit të tij në pushtet janë fytyra dhe shkaku i kësaj krize të thellë besimi.
Në këta 13 vite, Rama dhe sekti i tij nuk kanë punësuar askënd që nuk ka “njohje”, por ka meritë. Dhe këtë e dinë mirë me mijëra të rinj të shkolluar në Perëndim, që aplikuan për punësim në atdheun e tyre dhe gjetën vetëm indiferencë dhe injorim nga Rama dhe sekti i tij në pushtet.
Rama ka krijuar një raport përmbys të shtetit me qytetarin, pasi e ka vënë këtë të fundit në shërbim të korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga sekti i tij.
Në fjalimin e Ramës kishte edhe një tjetër mesazh: “radari digjital” për mediat. Një kërcënim i ndyrë i tij, për të frikësuar mediat dhe portalet kritike ndaj bëmave të sektit që drejton. Me “radarin digjital” të qeverisë, Rama sinjalizoi krijimin e një radari politik, e një mekanizmi shumë më të fuqishëm dhe diabolik monitorimi të hapësirës mediatike dhe digjitale.
Mirëpo, ku mbaron monitorimi legjitim i informacionit të rremë dhe ku fillon presioni mbi median? Rama këtë nuk do që ta thotë, pasi kërkon dorë të lirë për të intimiduar mediat e pavarura dhe kritike ndaj sektit të tij.
Rama harron se në një demokraci, media duhet të monitorojë qeverinë, dhe jo qeveria të kontrollojë median. Ai është mbrapa me kohën. Në fakt, koha e tij sorosiane ka mbaruar.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Udhëtimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm! Ka disa ngjashmëri me udhëtimin tim të parë në SHBA

Pyetje: Zoti Berisha, pyetja e parë. Keni udhëtuar shpesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, …