Nga Belind KËLLIÇI
Edi Rama shënoi sot një nga kulmet e arrogancës ndaj publikut dhe ndaj qytetarëve, kur deklaroi se pakënaqësia ndaj qeverisjes së tij qenka se ai nuk e paska bërë Shqipërinë, si Norvegjia, si Zvicra, si Gjermania…
Askush nuk ka pritur ndonjëherë që kjo të ndodhë, aq më shumë, askush nuk ka pritur që këtë ta sjellë Edi Rama. Ai jo që nuk solli Norvegjinë, por solli një prej qeverive më të korruptuara dhe më të inkriminuara në planet.
Njerëzit nuk pritën që ai ta bënte Zvicër, por ndoshta pritën që bandat të mos ishin shtabi elektoral dhe të emëronin shefa policie.
Nuk pritën që Edi Rama ta bënte Gjermani, askush nuk e ka pretenduar, por njerëzit ndoshta pritën që Edi Rama të mos rreshtonte 82 vota në Kuvend për të mbrojtur korrupsionin e penguar drejtësinë.
Padyshim, asnjëri nuk ka menduar se Edi Rama do ta bënte këtu Europë, por qytetarët kanë shpresuar që pas kaq vitesh, të ishin arritur disa standarde si vota e lirë, si barazia para ligjit, e të mos ndodhte siç ka ndodhur, që ka kthim mbrapa.
Nuk priti njeri të bëhej Suedi, por ndoshta kanë pritur që Shqipëria të mos bëhej narkoshtet.
As më i verbri nuk ka pritur prej Edi Ramës, Zvicer, Norvegji a Gjermani. Por mbase ka besuar se Kryeministri i vendit të tij nuk do të dekretonte një koordinator për organizatat kriminale, e nuk do të pinte prej tij verë 33 mijë euro shishja.
Dikush me të drejtë mund të kishte shpresuar se Edi Rama të bënte për qytetarët të paktën aq sa bën qeveria e Malit të Zi, e Maqedonisë, e Greqisë apo e Kosovës, që i gjenden në krah njerëzve në kohë të vështira dhe marrin masa për uljen e çmimit të karburanteve e produkteve bazë, apo që rimbursojnë direkt të prekurit nga shtrenjtimi i kostos së jetesës. Por ai as këtë nuk e bëri kurrë.
Në të vërtetë, Edi Rama në këto 13 vite ka krijuar vetëm një parajsë, për veten e tij e njerëzit e ngushtë që e rrethojnë, me luks, me pasuri, me përfitime marramendëse. Ka bërë plaçkë Shqipërinë dhe e ka ndarë sipas interesave me miqtë e oligarkët e tij.
Ndërkohë që pjesa tjetër e qytetarëve mezi mbyll muajin dhe mezi përballon jetën me të ardhurat më të ulëta në Europë e me çmimet më të larta.
Retorikat si e sotmja, arrogancë si kjo, vetëm shtojnë pakënaqësinë, mllefin dhe revoltën.
Ka vetëm një rrugë për Edi Ramën! Të largohet!
Gazeta RD