Himara në betejë me flakët, asnjë reagim nga qeveria

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e By-Pass-it të Himarës pasditen e të premtes, duke u përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara. Era e fortë ka favorizuar përparimin e flakëve, ndërsa situata është rënduar gjatë orëve të mbrëmjes.

Fillimisht zjarri përfshiu sipërfaqe të mëdha toke në zonën e kodrave, ndërsa më pas flakët iu afruan banesave. Deri tani raportohet se dy banesa janë shkrumbuar, ndërsa rreth 40 të tjera ndodhen në rrezik për shkak të afërsisë me vatrën e zjarrit.

Për shkak të përhapjes së flakëve, ka nisur evakuimi i banorëve nga zonat e rrezikuara. Paralelisht, janë larguar edhe turistë të akomoduar në hotelet pranë zonës së përfshirë nga zjarri, pasi flakët janë afruar ndjeshëm me strukturat turistike.

Situata është bërë edhe më kritike. Pamjet nga terreni tregojnë flakë me intensitet të lartë, ndërsa fronti i zjarrit është shtrirë në kodrat përreth qytetit dhe në disa pika është afruar pranë banesave.

Një qytetar ka kërkuar ndërhyrje nga ajri, duke deklaruar se banorët po largohen me shpejtësi nga Himara dhe se disa banesa janë rrethuar nga flakët.

“Kërkojmë ndërhyrje urgjentisht nga ajri sepse shikojmë disa shtëpi të rrethuara nga zjarri. Nuk po na japin sqarim nëse ka pasur njerëz brenda apo është djegur dikush. Zjarri po i afrohet qytetit. Ju lutem kërkojmë ndihmë se nuk kemi mundësi”, shprehet ai.

 

About Redaksia

Check Also

Momenti kur flakët përpijnë banesat në Himarë! Qytetari: Nuk dimë a është djegur njeri!

Pamjet që shikoni në videon e mëposhtme janë nga situata kritike në Himarë, ku një …