Publicisti Kim Mehmeti kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ai është më i afërt me Beogradin sesa me Prishtinën zyrtare.
Në intervistën për News24, ai theksoi se shqiptarët vuajnë nga sindroma e ‘vëllazërisë së përçarë’ dhe se nuk kanë një strategji të përbashkët.
Duke u ndalur specifikisht tek kriza politike në Kosovë, ai tha se faktorët politikë, duke dashur që të dobësojnë Lëvizjen Vetëvendosje, që është votuar nga populli, në fakt po i bëjnë dëm Kosovës.
“Di çfarë duan votuesit kosovarë. Tre herë me radhë voton VV. Unë di që tre herë me radhë, opozita lënë përshtypjen se i janë idhnuar popullit pse voton VV dhe duan ta bindin se e kanë gabim dhe duhet të shkojnë në zgjedhje.
Duan të dobësojnë VV, por në fakt dobësojnë vetëm Kosovën. Duke mos parë edhe një të vërtetë tjetër se të gjithë armiqtë shqiptarë investojnë në atë të dëshmojnë se shqiptarët nuk mund të ndërtojnë shtete funksionale. Ne vuajmë sindromin e vëllazërisë së përçarë, të cilët e kanë të paqartë të ardhmen e vet.”, tha ai.
Kritika të drejtëpërdrejta adresoi ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ndonëse në artikulim flet për pavarësinë e Kosovës, ai është më i afërt me Beogradin sesa me Prishtinën.
“Ne mund të jetojmë edhe në 5 shtete, por duhet të kemi diçka që është interes mbarëshqiptar. Ke kryeministrin e Shqipërisë që më shumë bashkëpunon me Beogradin sesa Prishtinën. Më afër ndihet me Beogradin se Prishtinën.
Ku është këtu loja e përbashkët shqiptare? Ku janë shqiptarët e RMV? Ke VV që mbështet Vlen, ke PS që mbështet BDI. Çfarë e sjell këtë destabilitet brenda shqiptarisë. Jemi një popull por nuk kemi asgjë të përbashkët. Në emër të asaj që të dobësohet VV, nuk bën llogari se po dobëson Shqiptarinë dhe Kosovën.
Edhe pse erë pas here dëgjoni parrullat se jemi të angazhuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk është e vërtetë. Ti të jesh i angazhuar për pavarësinë dhe të bëhesh pjesë e projekteve serbe. Dmth ndodhin gjëra absurde dhe që më pas reflektohen edhe në këtë.
Në PDK, që dëgjohet në masë të madhe edhe nga kryeministri shqiptar. Ndonjëherë funksionon edhe në bazë të asaj se ca i thotë Tirana, cili qëndrim të ketë ndaj VV. Psh në emër të asaj që të dobësohet, fare nuk mban llogari se dobëson Kosovën”, shtoi më tej ai.
Gazeta RD