Konflikti i pronës në Vlorë/ Tabaku: Rama përgjegjës për dy lejet mbi të njëjtën tokë

Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar për konfliktin pronësor në Vlorë, duke ia faturuar përgjegjësinë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se, gjatë tri ditëve të fundit, shqiptarët kanë dëgjuar vetëm gjysmë të vërteta, ndërsa është shmangur, sipas saj, e vërteta kryesore: institucionet shtetërore kanë dhënë dy leje të ndryshme, për dy persona, mbi të njëjtën pronë.

Deputetja demokrate ngriti pyetjen se si kanë mundur institucionet të përfundojnë dy procedura të plota për dhënien e lejeve të ndërtimit mbi të njëjtën pronë. Sipas saj, përgjegjësia nis nga hipoteka dhe shkon deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Deklarata e plotë

Tre ditë pas konfliktit në Vlorë, ka vetëm një gjë të qartë: përgjegjësi është shteti, qeveria dhe kryeministri, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme — një për investim strategjik dhe një për zhvillimin e pronës — mbi të njëjtën tokë dhe për dy persona të ndryshëm.

Si është e mundur që të zhvillohet një proces i plotë për dhënien e lejeve të ndërtimit për dy persona të ndryshëm, mbi të njëjtën pronë?

Nuk ka, pra, asnjë ullishte që mund t’ia lajë duart qeverisë nga korrupsioni i kryer në këtë rast, nga hipoteka deri më lart, në Kryeministri.

E gjithë kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët presin me vite dhe paguajnë miliona lekë në taksa dhe ryshfete për të regjistruar pronën e tyre. Imagjinoni sa më e vështirë bëhet situata kur prona është blerë apo kaluar përmes një transaksioni tjetër.

Ajo që ka ndodhur në Vlorë është një shembull shumë i qartë i kaosit me pronën. Ndërkohë, dëgjojmë retorikë dhe propagandë, pa u kryer një hetim administrativ, pa u identifikuar përgjegjësit dhe pa u nxjerrë ata përpara përgjegjësisë.

Tani na thuhet se do të shpronësohen pronarët dhe prona do të kthehet në ullishte. Por kë do të shpronësojnë? Apo do t’i shpronësojnë të dy, ashtu siç u dhanë të dyve leje ndërtimi për të njëjtën tokë?

Nuk mund të kemi një shtet ligjor pa respektuar pronën.

About Redaksia

Check Also

Boçi: 100 ditët që rrëzuan qetësinë e rreme të pushtetit

Nga Luçiano BOÇI Sot protesta qytetare hyn në ditën e saj të njëqindtë, duke e …