Me ton të ashpër dhe me akuza të rëndë, e nisi fjalën e tij kreu i Gurpit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi akuzoi maxhorancën se është kthyer në një makineri votash që plotëson interesat personale të kryeministrit Edi Rama, duke legalizuar kapjen e shtetit dhe duke i kthyer asetet publike në prona të miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.
Bardhi solli në vëmendje edhe denoncimin e ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili zbuloi tashmë skemën e vërtetë të funksionimit të qeverisë, ku emra të njohur nga rrethi i ngushtë i kryeministrit, si Belinda Balluku apo individë si Ergys Agasi dhe Roni Yefet, qarkullojnë dhe menaxhojnë interesat financiare dhe asetet kombëtare.
Rasti më flagrant i denoncuar lidhet me kompaninë shtetërore KAYO, e cila u krijua për industrinë ushtarake. Përmes këtij ligji, thuhet se shteti mbajti vetëm 20% të aksioneve, ndërkohë që 80% iu lanë në dorë biznesmenit Roni Yefet. Situata bëhet edhe më e rëndë kur përmenden audio-përgjimet e fundit, ku dyshohet se bëheshin pazare armësh me shtetas ukrainas në heshtje të plotë nga ana e qeverisë.
Por plani nuk ndalet vetëm tek armatimet, theksoi Bardhi gjatë fjalimit në Kuvend, ku sipas tij një tjetër skandal i përmasave gjigante pritet të godasë sistemin e shëndetësisë.
Fjala e plotë
Një sesion i ri parlamentar normalisht duhet të fillojë me atë që do të bëjmë më mirë për shqiptarët në muajt që kemi përpara, por siç është katandisur ky parlament, nuk ka më ndonjë dilemë se kjo maxhorancë do të vazhdojë të votojë kokëulur ligjet e Edi Ramës për grabitjen dhe plaçkitjen e Shqipërisë.
Do të vazhdojë të votojë programin e Edi Ramës për Shqipërinë si tokë e djegur nga sundimi i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Për Shqipërinë si tokë e djegur, ku mundësitë për qytetarin e ndershëm digjen me votën e kartonit tuaj.
Ju e keni bërë këtë prej 13 vitesh. Kjo maxhorancë, nën drejtimin e Edi Ramës, ka noterizuar kapjen e shtetit dhe plaçkitjen e Shqipërisë.
Vazhdoni ta bëni edhe në këto momente që flasim, duke refuzuar të përfshini në axhendën parlamentare zbatimin e Kushtetutës për balancën dhe kontrollin mes pushteteve, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe refuzoni të zhbëni ligjet që i heqin Edi Ramës mundësinë për të zhvatur qindra mijëra metra katror pasuri publike për llogari të disa klientëve të tij, për llogari të krimit të organizuar dhe për llogari të disa biznesmenëve që pastrojnë paratë e drogës dhe të korrupsionit bashkë me krimin e organizuar dhe qeverinë.
Ju, me ligjin e investimeve strategjike, i keni dhënë Ramës mundësi të zhdukë për interesa thellësisht private dhe plotësisht të pista 2.1 milionë metra katrorë tokë shtetërore në zonat më të bukura të Shqipërisë.
Vetëm dje në mbrëmje, me informacionet që ka prej vitesh si një nga njerëzit e afërt të Edi Ramës, me informacionet që ju ia dërgoni për të luftuar njëri-tjetrin, ish-zëvendëskryeministri juaj Arben Ahmetaj ka shpalosur para shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë hartën e kapjes së shtetit.
Edi Rama merr vendimet. Njerëzit e tij, herë me emrin Gys Agasi, herë me emrin Ron Jefet, bëjnë pazaret.
Kompanitë shtetërore përdoren për të kaluar pasuritë dhe paratë publike te privatët e përzgjedhur. Ndërsa drejtësia ndëshkon ndonjë vartës, por nuk prek atë që drejton skemën, Edi Ramën.
Në këtë hartë është edhe një mekanizëm pa të cilin asnjë nga këto pazare nuk do të merrte fuqinë e shtetit. Është vota juaj. Ju e votuat ligjin që krijoi KAYO-n. Ju i dhatë një kompanie të vetme shtetërore kontrollin mbi prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe teknologjive ushtarake.
Pastaj KAYO u vendos në shërbim të mikut të Edi Ramës, Ron Jefetit, për kompaninë e tij private, kur shteti, përmes KAYO-s që ju krijuat me votë, ka vetëm 20 përqind të aksioneve dhe Roni i Edit 80 përqind.
Është ky Roni që e dëgjuam edhe mbrëmë me audiopërgjim që të bënte pazare armësh me ukrainas shumë të pasur dhe që nuk e dimë ende çfarë përfaqësojnë, sepse Edi Rama hesht. Ju heshtni.
Është i njëjti Ron që, sipas dëshmisë së ish-ministrit tuaj të financave Arben Ahmetajt, Edi Rama donte t’i jepte administrimin e borxhit publik në 2018-ën, një biznes prej 1 miliard eurosh.
Për fat të keq në këtë sallë, ju kolegë të mazhorancës na keni treguar se jeni të gatshëm të çoni përpara skenarin e ri për grabitje të kryeministrit tuaj plaçkitës.
Pyesni Evis Salën për çfarë i duhet vota juaj këtë sesion Edi Ramës. Skandali i radhës po përgatitet pikërisht tani, këtë herë mbi shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.
Investigimet e mediave shqiptare dhe izraelite paralajmërojnë se modeli KAYO po projektohet edhe për shëndetësinë. Një shoqëri e re, e ngritur me ligj, që do të përqendrojë blerjet për pajisjet mjekësore, magazinimin, shpërndarjen dhe miliardat e tenderave të spitaleve. Pra nuk bëhet fjalë për një tender të vetëm, por për të vendosur në një dorë të vetme të gjithë sistemin e furnizimit të shëndetësisë.
Një projekt ky që ndodh ndërkohë kur, sipas të dhënave zyrtare të Eurostat-it, shqiptarët, në vend të shëndetësisë falas që Rama dhe ju, u premtuat, tani paguajnë me më shumë lekë se çdo vend tjetër i rajonit shërbimin shëndetësor.
Kjo ndodh jo vetëm sepse ju dhe Edi Rama mashtruat njerëzit, por i vodhët ata me koncesionet në shëndetësi. Dhe tani që koncesionet po përfundojnë, doni të vazhdoni t’i vidhni sërish me miq të tjerë të Edi Ramës.
Ju e dini shumë mirë se zonja Evis Sala refuzoi ta firmoste projektin e kryeministrit për blerjet e përqendruara në shëndetësi dhe u largua nga qeveria.
Largimi është për t’u përshëndetur, por heshtja e saj jo.
Sepse nuk është më sekret që dora ku Edi Rama do që të përqendrohen të gjitha blerjet në shëndetësi i përket një tjetër miku të tijj, të cilin e ka emëruar edhe konsull nderi të Shqipërisë në Izrael. Quhet Sani Sanilevich.
Media izraelite ka zbuluar takime dhe plane të përbashkëta të tij dhe të Ramës për të hyrë në biznesin e shëndetësisë në Shqipëri me firmën e Edi Ramës dhe me votën tuaj.
Pra, skema nuk fshihet më.
Dje, ju iu nënshtruat vullnetit të Edi Ramës dhe krijuat KAYO-n duke i dorëzuar industrinë ushtarake dhe interesat e Shqipërisë në NATO Ron Jefetit, mikut të kryeministrit.
Sot po përgatiteni të krijoni një tjetër KAYO për të gjithë tenderat e shëndetësisë dhe t’ia dorëzoni ato një tjetër miku të Edi Ramës.
Ndryshon sektori, ndryshon emri i mikut, por mekanizmi që SPAK refuzon ta hetojë mbetet i njëjtë: Edi Rama bën pazarin, qeveria përgatit ligjin dhe ju e ktheni në ligj pazarin e tij privat.
Kjo është Shqipëria si tokë e djegur.
Me kartonin tuaj në një parlament të dalë nga vota e vjedhur, ju i keni vënë zjarrin rregullave të funksionimit të një shteti normal. Ju keni djegur konkurrencën. Ju keni djegur barazinë para ligjit. Ju keni djegur 2.1 milionë metra katror tokë publike.
Ju keni djegur besimin e të rinjve se ky vend mund të bëhet.
Ju keni djegur besimin se një qytetar, një fermer, një sipërmarrës i zakonshëm mund të ketë të njëjtën të drejtë përballë shtetit si ai që ka mik Kryeministrin, që ka një interes personal me të apo që, si Belinda Balluku dhe si kokat e trafikut ndërkombëtar të drogës, mbajnë peng Kryeministrin.
Meqë jemi te Belinda Balluku, do të ishte e padrejtë në raport me interesin e vendit që të mos ju përmend një nga vendimet më antikombëtare tuajat.
Me votën tuaj sesionin e shkuar, si ushtarë të bindur të një organizate mafioze, ju zgjodhët imunitetin e Belinda Ballukut përpara interesit europian të vendit. Ju keni përdorur votën tuaj për t’u bërë mburojë e korrupsionit vetëm për hallin e Edi Ramës, pasi prekja e saj rrezikon të çojë në burg vetë kumbarin që mbani në krye të qeverisë.
Ju heshtni kur ligji bie mbi njerëzit e zakonshëm, ju na tregoni drejtësinë kur ajo godet kundërshtarët politikë, por për Belinda Ballukun u ngrit në këmbë një parlament i tërë për të mos lejuar drejtësinë të bëjë punën e saj. Kaq është barazia juaj para ligjit. Secili merr aq drejtësi sa i leverdis Edi Ramës.
Kam pritur këto ditë si do të reagonit për konfliktin e armatosur mes dy biznesmenëve tuaj në Orikum dhe si do të reagonit për zgjidhjen antishtet të kryeministrit tuaj për të shpronësuar personat në konflikt me dhjetëra miliona euro nga taksat e shqiptarëve vetëm për të mbyllur një çështje të pistë, të cilën ai vetë e ka krijuar.
Ju heshtët, sepse ju e dini, po aq mirë sa unë, se tokën publike dhe bregdetin kryeministri e ka kthyer në plaçkë personale. Ju e dini se aty ku ndahet plaçka, nuk ka konkurrencë, por ka korrupsion, ka krim të organizuar, ka abuzim me pushtetin. Aty vendos ligji i xhunglës, ku gjithmonë fitojnë më të fortët që kanë armë, para dhe pushtet.
Nuk dëgjova asnjërin prej jush të kërkonte të hetohej nga u erdhën paratë, si i morën pronat, si u fitua statusi i investitorit strategjik apo si u fituan lejet e ndërtimit. Ju pranuat në heshtje zgjidhjen antishtet të Edi Ramës.
Të zgjidhë një konflikt për të cilin ai është përgjegjës me paratë e shqiptarëve. Pra, ky jep tokë publike dhe bregdet me 1 euro në dispozicion, ky jep leje ndërtimi, ky fuqizon krimin e organizuar, ky u lejon pastrimin e parave dhe kur ndodh përplasja me armë, ky vendos të shuajë konfliktin me taksat e shqiptarëve.
Kjo është Shqipëria e tokës së djegur. Kryeministri ndez zjarrin dhe ju votoni me sy mbyllur, pa nxjerrë zë, çdo plan të çmendur të tij.
Prandaj nuk më vjen aspak keq për ju kur ju dëgjoj të ankoheni me gjysmë zëri se si ju keqtrajton Edi Rama dhe sesi po përpiqet t’ju bëjë mish për top para njerëzve që të mbulojë përgjegjësitë e tij.
Për sa kohë ju nuk gjeni kurajën të bëni asgjë për të mbrojtur dinjitetin tuaj, atëherë e meritoni të trajtoheni pa dinjitet nga Edi Rama. Madje, kur ai të sjellë në Parlament ndryshimin e Kodit Penal që t’ju fusë në burg pse ndërhyni të fusni njerëz në punë, unë do të jem i pari që do ta votoj.
Kështu që merrni bllokun në dorë, ulni kokën të turpëruar dhe pa pikë dinjiteti shkoni në orën dhe në vendin që ju cakton Edi Rama për shfaqjen më të shëmtuar dhe më tallëse me shqiptarët. Bëni sikur po dëgjoni hallet e njerëzve të cilëve u keni marrë me votë tokën, paratë, mundësinë për të konkurruar dhe besimin se ky vend mund të bëhet dhe mos na u qani tavolinave për Edi Ramën.
Ju e meritoni të bëheni kaq qesharakë. Sepse ju nuk shkoni te njerëzit për t’u dhënë llogari. Ju shkoni tek ata me kartonin tuaj në xhep, të gatshëm për t’ia vënë zjarrin Shqipërisë sa herë t’ju urdhërojë Edi Rama.
Ne jemi këtu për të bërë të kundërtën tuaj, sepse ne nuk jemi njësoj. Kushtetuta, ligji, interesi publik janë busulla jonë për të kërkuar llogari për çdo metër tokë publike, për çdo tender të paracaktuar dhe për çdo ligj të porositur që i vë zjarrin Shqipërisë.
Ne do të mbrojmë alternativën tonë, sepse Shqipërisë nuk i mjafton më largimi i Edi Ramës. Ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të çmontojmë mënyrën mafioze të qeverisjes që ai ndërtoi dhe t’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve të ndershëm dhe punëtorë.
Gazeta RD