Nga Klodian Tomorri
Në fillim të vitit 2023, tre shqiptarë nga Kosova themeluan në Shqipëri një kompani të quajtur Fiva Partners. Aksionerja më e madhe e kompanisë ishte Liridona Lluka, bashkëshortja e Valon Llukës, me 60 për qind të aksioneve, ndërsa dy aksionerët e tjerë, Nelson çela dhe Shkumbin Asllani zotëronin nga 20 për qind secili.
Në atë kohë, Valon LLuka dhe Nelson çela ishin të dy punonjës të kompanisë Mabetex të Behghet Pacollit, ndërsa Shkumbin Asllani një avokat nga Kosova.
Në momentin e themelimit Fiva Partners kishte një objekt të ngushtë aktiviteti. Ajo do të funksiononte vetëm si agjenci punësimi dhe formimi profesional. Por shumë shpejt gjërat ndryshuan.
Në nëntor të vitit 2024, Fiva Partners ndërroi pronar. Të tre aksionerët e saj i shitën kuotat e tyre tek Fiva Partners LLC e regjistruar në Kosovë. Fiva Partners e Kosovës zotërohej nga dy pronarë, Liridona Llukaj me 50 për qind dhe Blerina Pajaziti me po 50 për qind. Kjo e fundit është bashkëshortja e Fitim Pajazitit, një tjetër ish punonjës i Mabetexit të Pacollit.
Pa kaluar një muaj nga shitja e aksioneve, kompania ndryshoi edhe emrin edhe objektin e aktivitetit. Emri i ri u bë Specialized Service Provider Shpk, ndërsa aktiviteti i kompanisë ndryshoi në “Import Eksport të paisjeve elektronike dhe të IT, Shërbime montimi, instalim dhe të mirëmbajtjes së tyre si dhe punime civile për instalim dhe shtrirje e rrjetit të IT (sistem kamrash dhe monitorimi) në RSH.”

Këto lëvizje nuk ishin të rastësishme. Në prill të vitit 2024, vetëm pak muaj para lëvizjeve në kompani, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Taulant Balla, fluturoi në Abu Dhabi, ku firmosi me kreun e kompanisë Presight marrëevshjen për zhvillimin e projektit Smart City.
Ndërkohë dy muaj pas ndryshimit të aksionerëve, emrit dhe objektit të kompanisë Specialized Service Provider, qeveria dërgoi në parlament marrëveshjen 140 milionë dollarëshe me kompaninë arabe Presight për projektin e sigurisë publike dhe menaxhimit urban, i cili bazohet në përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe teknologjisë së përparuar për monitorimin e territorit në kohë reale.
Biznesi 60 mln dollarë
Specialized Service Provider e bashkëshorteve të Valon Llukës dhe Fitim Pajazitit është nënkontraktori kryesor i kompanisë arabe Presight për projektin Smart City në Shqipëri. Kjo kompani do të realizojë të gjitha punimet në terren. Por jo vetëm kaq. Kapitali ka mësuar se kompania Llukës dhe Pajazitit do të jetë edhe ndërmjetësi për importimin e kamerave në Shqipëri.
Kjo është një skemë e pazakontë. Kamerat që do të instalohen në 20 qytetet e Shqipërisë zotërohen nga kompania Presight, e cila ka kontratën ekskluzive me qeverinë. Por Presight nuk do t’i sjellë vetë drejtëpërdrejtë në Shqipëri ato, por do bëjë trekëndësh përmes Specialized Service Provider të Llukës dhe Pajazitit.
Financiarisht kjo skemë ka dy efekte. Së pari, fryn koston e kamerave përmes kalimit të tyre në disa duar dhe së dyti shton një hallkë tjetër në qarkullimin e 140 milionë eurove që do të paguajnë qytetarët shqiptarë.
Këtu bëhet fjalë për një biznes gjigand. Sipas marrëveshjes së miratuar nga Parlamenti, kamerat dhe infrastruktura e projektit do të kushtojnë 62.4 milionë dollarë.

Por si hyri dyshja e ish punonjësve të Mabetex në lojën e madhe të Smart Cityt?
Lluka dhe Pajaziti “ja futën” Pacollit
Fitim Pajaziti është ish drejtori i kompanisë Mabetex për Lindjen. Nga ana tjetër Valon Lluka, ishte administratori historik i grupit Mabetex dhe njeriu më i afërt i Behgjet Pacollit.
Kur shpërtheu përplasja për Aeroportin e Vlorës, Pacolli akuzoi publikisht Valon Llukën për komplot ndaj tij. Por zhvillimi më interesant erdhi pak ditë më parë, kur Pacolli publikoi një vendim të gjykatës së Abu Dabit, e cila sipas tij ka urdhëruar Llukën që t’i kthejë 1.7 milionë euro të vjedhura kompanisë Mabetex
“Në vitin 2025 ky Valon Lluka, nga kompanitë e Grupit Mabetex kishte bërë pagesa prej rreth 1.600.000 eurosh në kompaninë Alhami në Abu Dhabi, mbi bazën e faturave për shërbime që nuk kishin ndodhur. Gjykata në Abu Dhabi mbasi verifikoi së Valon Lluka kishte bërë pagesa me faktura fiktive, ne fillim të Gushtit 2026 shpalli Aktvendimin dënues duke urdhëruar kthimin e këtyre mjeteve në favor të Grupit Mabetex,” shkroi Pacolli në profilin e tij në facebook duke publikuar dhe një foto nga vendimi i gjykatës në arabisht.
Al Hami Information Technology L.L.C është një kompani e regjistruar në Abu Dhabi, e cila është e specializuar në integrimin e sistemeve ELV, kamerave të sigurisë çTV, radarëve dhe qendrave të monitorimit për projekte të tipit Smart Cities.
Kjo kompani ka një marrëveshje partneriteti me presight. Meqenëse Presight AI është dega e specializuar në analizën e të dhënave të mëdha, Al Hami bashkëpunon ngushtë si zhvillues të infrastrukturës softuerike dhe sistemeve të sigurisë digjitale.
Ndonëse Pacolli nuk e ka bërë publik motivin e gjyqit në Abu Dhabi, dyshimet janë se ai lidhet me projektin Smart City në Shqipëri. Një burim i tha Kapitalit se personi kyç që ka siguruar kontratën nga Presight për Smart City-n në Shqipëri është Fitim Pajaziti.

Në atë kohë Pajaziti dhe Lluka kanë negociuar me Presight me stofin e drejtorëve të Mabetex. Por pasi shtinë kontratën shumë milionëshe në dorë, ata e mënjanuan Behgjet Pacollin.
Këto dyshime u përforcuan vetëm tre ditë më parë, kur Pacolli akuzoi publikisht edhe Fitim Pajazitin.
“Do të flas edhe për nje mashtrim tjetër të paautorizuar të Valon Llukës prej 2 milion euro në dëm të llogarise private timen që ai manexhonte në mirëbesim si dhe likuidimin e Mabetexit në Emirate në favor të tijë dhe Fitim Pajazitit,” shkroi Pacolli në Facebook.

Tashmë i gjithë grupi i konçesionit të Aeroportit të Vlorës është shndërruar në një bandë të shthurur, anëtarët e së cilës po përleshen me dhembë për kontrata miliardere në Shqipëri. Kjo është një luftë e cila shtrihet nga Shqipëria në Libi dhe tani në Abu Dhabi për milionat e Smart Cityt.
Por teksa plaçkitësit zihen për të ndarë plaçkën që do t’u merret shqiptarëve, interesi publik ka mbetur jetim. Smart City është një projekt me kosto të fryrë, ku do të akomodohen jo vetëm qokat e kryeministrit për sheikët mbretërorë të Abu Dhabit, por do të ngihen edhe soji i Llukave dhe Pajazitëve./ kapitali.al
Gazeta RD