80 vite nga Kryengritja e Postribës, Spahia: Ata u ngritën kundër regjimit komunist dhe u bënë shembull për mbarë Shqipërinë

Në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të Kryengritjes së Postribës, deputeti i PD-së, Bardh Spahia, vlerësoi ngjarjen e 9 shtatorit 1946 si një nga faqet më të rëndësishme të historisë së qëndresës antikomuniste në Shqipëri.

Duke iu drejtuar banorëve të Postribës dhe familjarëve të viktimave, Spahia tha se kryengritja ishte një akt i guximshëm kundër regjimit komunist, duke nënvizuar sakrificën e atyre që humbën jetën apo u burgosën e internuan.

“Kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Europën e Lindjes”, e cilësoi Spahia, duke theksuar se 33 persona u vranë e pushkatuan pa gjyq, ndërsa qindra të tjerë u burgosën dhe internuan.

Fjala e plotë:

Të nderuar banorë të Postribës, të nderuar dhe fort të dashur familjarë të viktimave të 9 shtatorit 1946. Jemi sot këtu për të kujtuar një prej faqeve më të ndritura të historisë, jo vetëm të Shkodrës e të Postribës, por të mbarë Shqipërisë. Kryengritjen e parë antikomuniste në të gjithë Europën e Lindjes. Ishte një ngjarje e cila shkroi me gjak dhe me burrni vendin e vet në histori. Duke u ngritur për herë të parë kundër një regjimi gjakatar i cili tentoi ta shtypte me dhunën e armëve këtë reagim dhe këtë ngritje qytetare.

Ishin burra të Postribës, të Shkodrës, të Malësisë së Madhe dhe të Dukagjinit, të cilët u bënë bashkë për t’i thënë jo instalimit të regjimit më të egër komunist në Lindje dhe ndoshta dhe në mbarë botën. Prandaj sot i kujtojmë me mirënjohje dhe respekt të jashtëzakonshëm të gjithë ato martirë, 33 të vrarë, pushkatuar, pa gjyq, dhe qindra të tjerë të cilët u burgosën dhe u internuan në mënyrën më të egër e barbare nga regjimi komunist.

Sot në fakt, doja që nëpërmjet këtij përkujtimi të sjell në vëmendje edhe arsyet dhe vlerat madhore për të cilat ato sakrifikuan jetën edhe pse e dinin pasojat me të cilat do të përballeshin. Janë pikërisht ato vlera dhe parime që na bëjnë sot të qëndrojmë edhe një herë fort të gjithë bashkë kundër pasardhësve të atij regjimi gjakatar, që e shtypi me dhunë dhe armë kryengritjen e Postribës.

Janë ato vlera që na bëjnë sot të qëndrojmë ashtu siç diti të qëndrojë Postriba, duke u bërë shembull jo vetëm për Shkodrën por për mbarë Shqipërinë. Kam bindjen absolute që nën shembullin e atyre martirëve, ne do ta rikthejmë edhe një herë Shqipërinë, Shkodrën, Postribën në shinat e prosperitetit dhe demokracisë ashtu siç e meritojnë këto banorë, për Shkodrën dhe për mbarë vendin.

Ju faleminderit edhe një herë shumë!

About Redaksia

Check Also

Berisha në SHBA takon kongresmenin republikan Pete Sessions: Në Shqipëri duhet qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të …