Kliti Hoti në Postribë, 80 vite nga kryengritja antikomuniste: Mund të shtypësh një kryengritje, por jo një ideal

Deputeti i PD-së, Kliti Hoti, ka përkujtuar në Postribë 80-vjetorin e Kryengritjes së 9 Shtatorit 1946, duke nderuar martirët dhe familjet e përndjekura nga regjimi komunist.

Hoti e cilësoi kryengritjen si një nga aktet e para të rezistencës antikomuniste në Shqipëri dhe theksoi se ajo u zhvillua në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Mund të shtypësh një kryengritje, por jo një ideal. Mund të burgosësh njerëzit, por jo aspiratën e tyre për liri”, u shpreh Hoti.

Ai kërkoi që sakrifica e kryengritësve të ruhet në kujtesën kombëtare dhe të përcillet te brezat e rinj.

Fjala e plotë:

Përshëndetje!

Të nderuar familjarë të martirëve dhe të përndjekurve politikë, të nderuar qytetarë të Postribës dhe të Shkodrës, zonja dhe zotërinj. 78 vite më parë, në 9 shtator të vitit 1946, Postriba hyri krenare në historinë e Shqipërisë përmes guximit dhe sakrificës të burrave të saj.

Në një nga momentet më të errëta të vendit tonë, refuzuan t’i nënshtrohen diktaturës që po instalohej. Kryengritja e Postribës ishte një nga aktet e para të mëdha të rezistencës së armatosur antikomuniste në Shqipërinë e pasluftës, një qëndresë kundër frikës dhe nënshtrimit. Njerëzit e Postribës e kuptuan herët se regjimi që po instalohej nuk sillte liri e drejtësi, por vetëm terror, persekutim, izolim dhe shkëputje nga bota perëndimore.

Ato u ngritën për atë që shqiptarët kanë qenë gjithmonë, që ka qenë gjithmonë e shenjtë për shqiptarët: për lirinë, për dinjitetin, dhe të drejtën për të vendosur mbi jetën dhe të ardhmen e tyre. Dhe pikërisht, për këtë, kryengritja e Postribës kishte një domethënie shumë më të madhe sesa përballja e armatosur. Ajo tregoi se propaganda e regjimit që pretendonte dhe fliste në emër të gjithë popullit, nuk mund të fshihte të vërtetën.

Kishte shqiptarë që refuzonin diktaturën dhe që ishin të gatshëm të rrezikonin gjithçka për liri. Në krye të kësaj qëndrese qëndruan burra si Jup Kazazi, Osman Haxhia, Riza Dani, Rasim Gjyrezi, Pjetër Pali, Idriz Tahiri e shumë e shumë të tjerë, emrat e të cilëve mbeten të lidhur përgjithmonë me historinë e rezistencës antikomuniste të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Regjimi iu përgjigj guximit të tyre me një dhunë brutale. Kryengritja u shtyp. Por hakmarrja nuk u ndal.

Nuk u dënuan vetëm ata që kishin marrë armët, u dënuan pleq, gra, fëmijë, familje, u plaçkitën dhe u dogjën shtëpitë e tyre. Vitet e përndjekjes që pasuan, burgu, internimet, prodhuan jo vetëm vuajtje, por edhe heshtje. Dhe kjo ndoshta është një nga plagët më të rënda të diktaturës: përpjekja jo vetëm për të vrarë njeriun, por edhe për të zhdukur kujtimin e tij. Për dekada, kryengritja e Postribës u shtrembërua nga historiografia zyrtare. Kryengritësit u shpallën armiq, ndërsa xhelatët u paraqitën si përfaqësues të shtetit. Por koha ka një drejtësi që diktaturat nuk arrijnë dot ta mposhtin.

Sot, jemi këtu për të nderuar të vërtetën dhe ata që e paguan me jetën e tyre këtë të vërtetë. Postriba na mëson se mund të shtypësh një kryengritje, por jo një ideal. Mund të burgosësh njerëzit, por jo aspiratën e tyre për liri. Regjimi komunist zgjati pothuajse gjysmë shekulli, por sot ai kujtohet vetëm për burgjet, për internimet, për krimet, ndërsa ato që u ngritën kundër tij kujtohen me respekt si sot. Ky është gjykimi i historisë. Dhe prandaj, ceremonia e sotme nuk është vetëm një detyrim ndaj të kaluarës, por është edhe një porosi e madhe për të ardhmen. Demokracia nuk mund të ndërtohet mbi harresë.

Një shoqëri që nuk përballet ndershmërisht me diktaturën e saj rrezikon të relativizojë krimet e saj dhe të mohojë për brezat e rinj, kuptimin e vërtetë të lirisë. Historia e qëndresës antikomuniste duhet të zërë vendin që meriton në tekstet tona mësimore, në institucionet tona dhe në kujtesën kombëtare. Ashtu siç duhet të nderohen mijëra familje që kaluan dekada në burgje, internime dhe persekutime. Po kështu, aspirata jonë europiane, për Shqipërinë europiane, është e pandashme nga vlerat për të cilat u ngritën njerëzit e Postribës: liria, demokracia, shteti i së drejtës dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Prandaj, sot nga Postriba mesazhi është i qartë: Liria nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë. Demokracia kërkon institucione që u shërbejnë qytetarëve, jo pushtetit. Kërkon drejtësi të pavarur, zgjedhje të lira, fjalë të lirë dhe respekt për dinjitetin e njeriut. Këto janë vlera për të cilat u sakrifikuan dhe njerëzit që nderohen sot.

Në këtë 9 shtator, përulemi me mirënjohje para gjithë kryengritësve të Postribës, para martirëve të saj, para familjarëve që mbajtën për dekada peshën e hakmarrjes së diktaturës. Ata nuk patën mundësi ta shohin Shqipërinë e lirë, por Shqipëria e lirë ka detyrimin të mos i harrojë kurrë. Nderim të përjetshëm martirëve të Kryengritjes së Postribës!

About Redaksia

Check Also

Berisha në SHBA takon kongresmenin republikan Pete Sessions: Në Shqipëri duhet qeveri teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Shtetet e Bashkuara të …