Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Diaspora na rezervoi një pritje të jashtëzakonshme! Ajo është gati të bëjë gjithçka për të ngritur përsëri në këmbë Shqipërinë.
Berisha shtoi se diaspora shqiptare kësaj here ishte 35 vite larg asaj që kemi takuar 35 vite më pare dhe se ishte gati të bëjë gjithçka për të ngritur përsëri në këmbë Shqipërinë.
Berisha: Momenti tjetër që nuk ka të përshkruar me fjalë, që ishte vërtet në nivelin e magjisë, pritja vëllazërore që na rezervoi diaspora shqiptare.
Ajo ishte një pritje që tejkalonte çdo parashikim.
Qoftë në Nju Jork, qoftë në Teksas.
Duhet t’u them se në vizitën time të parë, na është bërë një pritje vëllazërore dhe aty jam njohur me personalitete të shquara të diasporës tonë. Me atdhetarë të flaktë, të cilët bënë gjithçka dhe çdo sakrificë për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimin e Kosovës.
Ai ishte një rast i veçantë të përulesha me shumë nderim para tyre.
Në vetvete shprehja dhimbjen se disa prej tyre nuk ishin më.
Por, të tjerë pata fatin t’i takoj, t’i falënderoj personalisht dhe përzemërsisht.
Në tërësi mund t’u them se diaspora shqiptare që takuam kësaj here ishte 35 vite larg asaj që kemi takuar 35 vite më parë.
Ishte diasporë shumë e shumë herë më e fuqishme.
Ishte një diasporë që numëronte me dhjetëra mijëra, në mos më shumë, biznesmenë. Por jo vetëm kaq.
Jo vetëm sukses në fushën e biznesit, por edhe sukses në fushën e shkollimit, akademike. Rrethohesha nga të rinj që ishin të mirëvendosur në sipërmarrjet më serioze të atij vendi. Të diplomuar në shkollat më të mira.
Dhe përsëri kishin lënë zyrat e tyre dhe kishin ardhur në takim.
Një potencial shumë i madh. Diaspora është një potencial real i jashtëzakonshëm.
Gjithnjë është thënë, mbaju nënë mos ki frikë se i ke djemtë në Amerikë. Por kësaj here unë u them ju se djemtë e saj janë më të fuqishëm se kurrë dhe të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta ngritur përsëri Shqipërinë në këmbë.
Ishin emotive shumë takimet, dashuria e tyre, atdhetaria e tyre kudo.
Ndaj dhe u kthyem me një optimizëm shumë më të madh.
E quajta vizitë e ripërtëritjes, pa diskutim marrëdhëniet e opozitës shqiptare me SHBA dhe partneriteti do të njohin nivele të reja të merituara.
Pra, një mirënjohje të pakufishme ndaj miqve tanë për takimet, pritjet që na rezervuan.
Një mirënjohje të pakufishme për shqiptarët në diasporë, për frymën vëllazërore me të cilën na pritën.
Gazeta RD