Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka vijuar për të pestën ditë radhazi të kërkojë shpjegime nga SPAK lidhur me situatën penale të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Bardhit, ndaj Ballukut rëndojnë tashmë akuzat për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Këto, sipas tij, i janë shtuar akuzës së mëparshme për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me tetë procedura prokurimi me vlerë totale 1.2 miliardë euro.
Bardhi i drejton SPAK-ut dy pyetje të drejtpërdrejta, duke e akuzuar institucionin se po bëhet pjesë e një loje politike dhe se po i krijon hapësirë kryeministrit Edi Rama për manovra politike.
Reagimi
DITA 5
Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.
Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.
Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.
Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?
Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?
Gazeta RD