Kërkesa është firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe mban datën e sotme.
PD shpreh shqetësimin se pavarësisht opinioneve të tyre me shkrim, mazhoranca në të gjitha Komisionet Parlamentare, nuk ka marrë në konsideratë asnjë prej shqetësimeve të shprehura nga organet e sistemit të drejtësisë apo shoqatat përfaqësuese të magjistratëve.
Për më tepër “mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka miratuar një version krejt të ri të projektligjit, të depozituar po atë ditë nga një tjetër deputet i Grupit Parlamentar të PS, propozuar si Amendament me nr. 3994 Prot., datë 14.09.2026, por që anëtarëve të Komisionit të Ligjeve i është vënë në dispozicion vetëm ditën e shqyrtimit, pra më datë 15 Shtator 2026.
Madje, Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin, në shkelje të procedurës parlamentare, ende pa përfunduar shqyrtimi në Komisionet për dhënie mendimi dhe pa marrë më parë mendimin e atyre Komisioneve, përkatësisht, Komisonit për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, versioni i ri i projektligjit i miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe që i përcillet për votim seancës plenare, nuk është konsultuar me asnjë prej grupeve të interesit dhe nuk i është bërë transparent atyre“.
PD kërkon që Kuvendi të nisë pa asnjë vonesë një proces real, efektiv dhe transparent konsultimi me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe shoqatat përfaqësuese të magjistratëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhje finale për këtë problematikë dhe reflektimin korrekt të standardeve të përcaktuara në vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.
Pjesë nga kërkesa
“Rezulton se pavarësisht opinioneve të tyre me shkrim, mazhoranca në të gjitha Komisionet Parlamentare, nuk ka marrë në konsideratë asnjë prej shqetësimeve të shprehura nga organet e sistemit të drejtësisë apo shoqatat përfaqësuese të magjistratëve.
Për më tepër, mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka miratuar një version krejt të ri të projektligjit, të depozituar po atë ditë nga një tjetër deputet i Grupit Parlamentar të PS, propozuar si Amendament me nr. 3994 Prot., datë 14.09.2026, por që anëtarëve të Komisionit të Ligjeve i është vënë në dispozicion vetëm ditën e shqyrtimit, pra më datë 15 Shtator 2026. Madje, Komisioni i Ligjeve ka miratuar projektligjin, në shkelje të procedurës parlamentare, ende pa përfunduar shqyrtimi në Komisionet për dhënie mendimi dhe pa marrë më parë mendimin e atyre Komisioneve, përkatësisht, Komisonit për të Drejtat e Njeriut. Për më tepër, versioni i ri i projektligjit i miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe që i përcillet për votim seancës plenare, nuk është konsultuar me asnjë prej grupeve të interesit dhe nuk i është bërë transparent atyre.
Nisur nga sa më lart, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, dhe duke mbajtur në konsideratë se:
1 -Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 15/2026 është shprehur se: “Parimi i shtetit të së drejtës dhe i sigurisë juridike kërkon, në aspektin formal, që elementet dhe parimet që lidhen me sistemin e pagave të magjistratëve të përcaktohen me ligj të miratuar nga Kuvendi, përmes një procedure transparente, kurse në aspektin substancial, që parashikimet ligjore të jenë objektive, të parashikueshme, të qëndrueshme dhe transparente, për të përjashtuar ndërhyrje arbitrare të pushtetit ligjvënës ose ekzekutiv gjatë zbatimit të tyre.
Kjo nënkupton edhe që gjatë shqyrtimit dhe miratimit të propozimeve ligjore që prekin drejtpërdrejt garancitë kushtetuese të magjistratëve, ku përfshihen pagat e tyre, procesi ligjvënës duhet të përfshijë një analizë tërësore dhe të detajuar të qëllimit të synuar dhe pasojave të pritshme, sikundër duhet të sigurojë edhe pjesëmarrjen aktive të vet gjyqtarëve/magjistratëve ose grupimeve që i përfaqësojnë ata. Ky konsultim duhet të jetë, mbi të gjitha, edhe efektiv.” (shih vendimin Nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, $76);
2- Projektligji ka të bëjë me pavarësinë e gjyqësorit dhe me garancitë kushtetuese të magjistratëve, ku përfshihen pagat e tyre;
3 Projektligji ka të bëjë me një çështje që ka ngecur në filtrat kushtetuese disa herë dhe është një shqetësim i mbartur prej vitesh;
4- Projektligji trajton një çështje që lidhet me zbatimin e një vendimi konkret të Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht vendimit nr. 15/2026;
Pagat kanë krijuar një ngërç institucional në funksionimin e sistemit gjyqësor dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet pushteve;
(vi) Procesi i konsultimit ka rezultuar të jetë i pamjaftueshëm në kohë dhe jo efektiv;
KËRKOJMË:
1. Në përputhje me nenin 31 të Rregullores së Kuvendit, ndryshimin e Rendit të Ditës së seancës së datës 17 Shtator 2026 dhe heqjen nga Rendi i Ditës i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
2. Në përputhje me nenin 87 të Rregullores së Kuvendit, kalimin e projektligjit për vlerësim edhe në Këshillin e Legjislacionit të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim që të rivlerësojë projektligjin në tërësi në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe me qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori.
3. Kuvendi të nisë pa asnjë vonesë një proces real, efektiv dhe transparent konsultimi me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe shoqatat përfaqësuese të magjistratëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhje finale për këtë problematikë dhe reflektimin korrekt të standardeve të përcaktuara në vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta RD