Shqipëria e harruar fillon aty ku shkolla mbetet pa nxënës!

Prof. Myqerem TAFAJ
Viti shkollor 2026–2027 e riktheu vetëm për një ditë në vëmendjen publike zbrazjen e shkollave rurale. Pas klasave kolektive dhe dyerve të mbyllura qëndron jo vetëm shpopullimi, por edhe një pabarazi e thellë arsimore.

Viti shkollor filloi me urime zyrtare, statuse, ceremoni dhe pamje nga oborret e shkollave. Por lajmi më tronditës që përcollën kryesisht mediat joqeveritare ishte tjetër: shkolla që nuk i hapën dyert për mungesë nxënësish, godina me vetëm pak fëmijë dhe klasa kolektive ku mësojnë së bashku nxënës të disa klasave. Në raste të raportuara nga zonat rurale, një shkollë ka vetëm një, dy apo tre nxënës në një klasë; në raste të tjera, fëmijë të klasave të ndryshme zhvillojnë mësim në të njëjtën hapësirë dhe në të njëjtën orë. Kur bashkohen edhe klasat e arsimit të mesëm të ulët, nga klasa e pestë deri në të nëntën, nuk kemi më thjesht një mënyrë të pazakontë organizimi. Kemi një reduktim të skajshëm të së drejtës për arsim cilësor.

Mediat raportuan për gjendjen në shumë rrethe të vendit. Për shëmbull, shumë shkolla të Permetit kishin një numër nxënësh sa gishtat e dorës. Por pasqyra reale dhe ajo e qeverisë ishte e trishtueshme në shumicën e rretheve të vendit. Kjo është Pasqyra reale e Shqipërisë së shpopulluar, e Shpopullimit që tashmë prek fshatrat, zonat e varfra, periferitë dhe qytetet e vogla.

Por problemi është se Shqipëria e zbulon këtë realitet vetëm një ditë në vit: ditën e parë të shkollës. Pastaj kamerat largohen, statistikat shpërndahen nëpër institucione dhe fëmijët mbeten sërish vetëm me pabarazinë e tyre. Shkolla e boshatisur është pasqyra më e qartë e shpopullimit, por edhe institucioni i parë që e përshpejton atë: kur një familje bindet se fëmija nuk mund të marrë arsim cilësor aty ku jeton, largimi bëhet jo vetëm zgjedhje ekonomike, por vendim për të ardhmen e fëmijës.

Kjo gjendje e shpopullimit çon fillimisht në shtimin e klasave kolektive dhe pastaj në mbylljen e shkollave. Por klasa kolektive nuk është barazi e thellë shkollimi. Klasa kolektive mund të jetë një zgjidhje e përkohshme në kushte të jashtëzakonshme dhe për grupmosha të afërta, nëse mbështetet nga mësues të përgatitur, materiale të posaçme dhe teknologji funksionale. Por bashkimi i shumë klasave (sic ndodh rëndom edhe për klasat fillore 5-9), veçanërisht nga klasa e pestë deri në të nëntën, e bën pothuajse të pamundur realizimin e kurrikulës.

Një mësues nuk mund të zhvillojë njëkohësisht lëndë kaq të ndryshme, të vlerësojë individualisht nxënësit dhe të krijojë kohën e nevojshme për ushtrime, korrigjim, etj., ndërsa për punë të diferencuar me nxënësit as nuk mund të bëhet fjalë. Pra, fëmija figuron në shkollë, por merr vetëm një pjesë të shkollimit që shteti është i detyruar t’i garantojë.Shkollat e vogla rurale përballen njëkohësisht me mungesë mësuesish me kualifikimin përkatës, mbulim të paplotë të lëndëve, mungesë të mjeteve didaktike dhe, shpesh, kushte të papërshtatshme higjienike.

Në këto zona funksionojnë edhe shkollat e mesme të bashkuara, që përbëjnë një pjesë të arsimit të mesëm të përgjithshëm të vendit. Në shkollat e mesme të bashkuara, mësues të përgatitur për arsimin fillor ose nëntëvjeçar japin shpesh mësim edhe në klasat e gjimnazit. Shkolla të tilla nuk mund të ofrojnë realisht lëndë me zgjedhje dhe as thellimin që kërkon kurrikula në klasat XI dhe XII. Pikërisht këto shkolla arrijnë rezultatet më të ulta në Maturë, me një diferëncë së paku prej 2 notash krahasuar me mesataren e gjimnazeve të zakonshme.

Për pasojë, pabarazia territoriale shndërrohet në prapambetje në shkollim. Analizat e mëparshme të PISA-s dhe të Bankës Botërore kanë treguar një hendek që mund të arrijë rreth 1.5–2 vite shkollimi ndërmjet nxënësve të zonave më të pafavorizuara dhe atyre të Tiranës apo qendrave kryesore. Kjo do të thotë se një nxënës i klasës së nëntë mund të ketë, në kompetencat bazë, një formim të krahasueshëm me atë të një nxënësi të klasës së shtatë në një shkollë të Tiranës apo të 4-5 qyteteve kryesore të vendit. Kjo prapambetje nuk zhduket vetvetiu në gjimnaz; ajo bartet në Maturën Shtetërore, në konkurrimin universitar dhe më pas në tregun e punës.

Pikërisht shkollat e vogla u shndërruan në problemin metodologjik më serioz të pjesëmarrjes së Shqipërisë në PISA 2025 që deformoi rezultatet e testit. Sipas shënimit të OECD-së në raportin e rezultateve të PISA 2025, shkollat me më pak se 21 nxënës 15-vjecarë (kohorti që testohet në PISA) u hoqën nga harta e shkollave të kampionit të përcaktuar nga autoritetet e PISA. Për këtë arsye nuk u përmbushën standardet e kampionimit dhe OECD dhe rezultatet u deformuan, sepse në realitetin shqiptar shkollat shumë të vogla ndodhen në mënyrë disproporcionale në zona rurale, të varfra dhe periferike. Kështu, kufizimi metodologjik prodhoi realisht një përjashtim territorial me pasoja të qarta mbi përfaqësimin kombëtar dhe, për rrjedhojë edhe në rezultatet kombëtare. Rezultatet e PISA 2025 për Shqipërinëjapin informacion për nxënësit e përfshirë në kampion, por jo një pasqyrë plotësisht të krahasueshme të të gjithë 15-vjeçarëve shqiptarë. Nëse pjesa e munguar përfshin në mënyrë joproporcionale shkollat me kushtet dhe rezultatet më të dobëta, mesatarja rrezikon të jetë fiktivisht më optimiste se sa realiteti i vërtetë.

Pasojat e kësaj pabarazie të thellë në shkollim nuk kufizohen te notat. Nxënësi i një shkolle të dobët ka më pak mundësi të arrijë rezultate të mira në shkollë të mesme, të këtë një Maturë më cilësore dhe, për rrjedhojë, më pak mundësi të konkurrojë për mjekësi, mësuesi, inxhinieri, teknologji apo programe të tjera të kërkuara.

Familja me të ardhura të ulëta në këto zona të disfavorizuara nuk mund ta kompensojë mangësinë me kurse private, transport të përditshëm ose zhvendosje në qytet. Kriteri i meritës mbetet i drejtë vetëm kur shteti ka garantuar një minimum realisht të krahasueshëm mundësish. Përndryshe, ai mat jo vetëm përpjekjen dhe aftësinë e nxënësit, por edhe rrethin ose „kodin postar“ ku ai ka lindur.

Kjo gjendje prodhon një rreth vicioz. Shkolla e dobët nxjerr më pak maturantë me rezultate të larta; më pak prej tyre hyjnë në programet e mësuesisë, mjekësisë apo profesioneve të tjera; edhe ata që diplomohen rrallë kthehen në zonat ku mungojnë shërbimet. Mungesa e profesionistëve ul më tej cilësinë e jetës dhe nxit largimin e familjeve të reja. Shqipëria e harruar nuk është, pra, vetëm një metaforë politike. Ajo është hapësira ku shteti ofron më pak arsim, më pak shëndetësi dhe më pak mundësi, ndërsa më pas fajëson qytetarin që largohet.

Ndërkohë, komunikimi qeveritar përqendrohet te masa më të dukshme në Tiranë: kamera, digjitalizim apo programi pas mësimit. Siguria në shkollë dhe mbështetja pas mësimit janë të nevojshme, por nuk mund të zëvendësojnë mësuesin e kualifikuar, laboratorin, ujin, ngrohjen, higjienën dhe sigurinë e ushqimit që hyn në shkollë. Modernizimi i disa shkollave në kryeqytet apo në pak qytete të mëdha nuk është politikë kombëtare e mjaftueshme për zhvillimin e arsimit në të gjithë vendin, nëse në pjesën tjetër të vendit një mësues torturohet të japë 5-6 lëndë në klasa kolektive ku mund të jënë edhe nxënës të të gjitha klasave 5-9.Edhe Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë 2025 mbetet tepër i përgjithshëm për këtë sfidë. Ai evidenton rënien e regjistrimeve, shpenzimet publike për arsimin prej 2.6% të PBB-së kundrejt mesatares 4.6% të BE-së, braktisjen më të lartë në zonat rurale, mangësitë në trajnimin e mësuesve dhe infrastrukturën e vjetruar. Megjithatë, nuk analizon posaçërisht pabarazinë arsimore, klasat kolektive, shkollat e mesme të bashkuara dhe nevojën për riorganizimin territorial të rrjetit shkollor. Për një vend që po zbrazet, ky nuk është problem anësor, por një nga çështjet themelore të cilësisë dhe gjithëpërfshirjes.

Reforma territoriale e largoi de facto vendimmarrjen nga fshati. Reforma territoriale e vitit 2014 dobësoi përfaqësimin dhe kapacitetin vendimmarrës të shumë komuniteteve rurale. Bashkimi i njësive të vogla në bashki shumë më të mëdha nuk u shoqërua me mekanizma të mjaftueshëm që arsimi, transporti dhe shërbimet bazë të planifikoheshin pranë qytetarit. Shkolla e fshatit mbeti shpesh jetime, askush nuk do tia dijë për të, madje zor se administrator I njësisë administrative (për kryetarin e bashkisë as nuk mund të mendohet!) nuk e viziton ndonjëherë një shkollë të tillë, lërë pastaj të interesohet dikush për investime. E shumta ndonjë kryplak mund të ngre zërin për një shkollë të tillë, por është zë I humbur. Mbetet që shpesh vetë mësuesit apo mësuesit e mbetur tëluftojnë vetë për cdo gjë, madje edhe me xhepin e tyre, në mënyrë që shkolla të mbijetojë disi. Kur shkolla mbyllet, komuniteti informohet për pasojën, por rrallë përfshihet në projektimin e zgjidhjes.

Edhe projekti i ri i Partisë Socialiste për reformën territoriale rrezikon ta thellojë këtë prirje, nëse mat efikasitetin vetëm me numrin e bashkive, administratën dhe kursimin financiar. Reforma territoriale duhet të vlerësohet edhe me distancën e fëmijës nga shkolla, kohën e udhëtimit, sigurinë e transportit dhe cilësinë e shërbimit që merr. Një hartë administrative që zvogëlon zërin e komuniteteve të largëta, pa u garantuar shërbime më të mira, përfshirë atë arsimor, nuk është modernizim, por injorim dhe krijon parakushte për shpejtimin e shpopullimit në atë fshat apo zonë.

Por çfarë duhet bërë? Shqipërisë i duhet menjëherë një hartë e re kombëtare e shkollave të arsimit të detyruar dhe e gjimnazeve, e mbështetur në të dhëna demografike dhjetëvjeçare, jo në vendime të rastit. Qëllimi nuk duhet të jetë mbajtja artificiale e çdo shkolle hapur, por garantimi që çdo fëmijë të ketë qasje të sigurt në një shkollë me masë të mjaftueshme kritike nxënësish në klasë, pa klasa kolektive në klasat 5-9, mësues të kualifikuar, bazë didaktike dhe kurrikulë të plotë, dhe me kushte normale mësimi dhe të higjënës. Përqendrimi i nxënësve në shkolla funksionale duhet të shoqërohet me transport publik shkollor falas, të sigurt e të monitoruar dhe, për zonat e thella, me konvikte për arsimin e mesëm. Lypse politika të diferencuara për mësuesit: bonuse reale për zonat e vështira, strehim, transport, kontrata disa-vjeçare, mentorim dhe zhvillim profesional të lidhur me nevojat e klasave shumë-nivelëshe. Financimi “i barabartë” për nxënës nuk mjafton; barazia reale kërkon më shumë burime për shkollën që nis nga kushtet më të pafavorshme.Qeveria duhet të sigurojë strategjinë, financimin dhe standardet; bashkitë të organizojnë transportin, konviktet dhe mirëmbajtjen. Prindërit dhe komunitetet duhet të marrin pjesë në çdo vendim për bashkimin ose zhvendosjen e një shkolle.

Në fund, PISA 2025 rikujton një të vërtetë që qeveria vazhdon ta injorojë: rezultatet e arsimit ndërtohen gjatë një dekade, ndërsa mandatet qeverisëse zgjasin katër vjet. Shqipërisë i nevojitet një strategji kombëtare 10–15-vjeçare, me objektiva të matshëm për kompetencat bazë, zvogëlimin e diskriminimt rajonal/territorial, cilësinë e mësuesve, sigurinë dhe infrastrukturën. Një Këshill Kombëtar i Arsimit, profesional dhe me mandat shumëvjeçar, mund të monitorojë vazhdimësinë përtej alternimeve politike.

Shkolla me pesë nxënës nuk është vetëm një statistikë e shpopullimit. Ajo është prova nëse shteti arrin ta mbrojë të drejtën e fëmijës edhe atje ku votuesit janë pak, kamerat mungojnë dhe kostoja për nxënës është më e lartë. Nëse Shqipëria vazhdon ta kujtojë këtë realitet vetëm në ditën e parë të vitit shkollor, atëherë “Shqipëria e harruar” nuk është harruar rastësisht. Ajo është lënë jashtë politikave publike.

About Redaksia

Check Also

Disa sygjerime për leximin e aktgjykimit ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së

Veton SURROI 1. Aktgjykimi dënues ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së — Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, …