Safet Butka, patrioti që nuk pranoi vëllavrasjen

Safet Butka, Patrioti që nuk Pranoi Vëllavrasjen!

Shkëlqim Hysaj Lepenica

Më 19 shtator 1943, në Melçan të Korçës, mbylli tragjikisht jetën Safet Butka, një prej figurave më të shquara të nacionalizmit shqiptar, intelektual, pedagog, luftëtar dhe patriot i vendosur.
Safet Butka lindi më 10 gusht 1901, në Butkë të Kolonjës, në familjen e patriotit të madh Sali Butka. U rrit në një mjedis ku dashuria për Shqipërinë, arsimi dhe qëndresa kombëtare ishin pjesë e jetës së përditshme.
Shkollimin e mesëm e kreu në Austri, në Linz, ndërsa më pas studioi filozofi në Universitetin e Grazit, ku u diplomua më 1928. Gjatë viteve të studimit u angazhua në jetën e studentëve shqiptarë dhe në veprimtarinë kulturore kombëtare. Në vitin 1925 botoi studimin “Naim Frashëri, jeta dhe veprat”, duke dëshmuar që herët përkushtimin ndaj kulturës dhe identitetit shqiptar.
Pas kthimit në Shqipëri, Safet Butka iu përkushtua arsimit. Punoi në Liceun e Korçës, Shkollën Tregtare të Vlorës dhe Normalen e Gjirokastrës, ku ishte edhe drejtor. Më pas drejtoi Liceun Shtetëror të Tiranës. Ai u bë një nga figurat e rëndësishme të arsimit shqiptar të kohës dhe kontribuoi në zhvillimin e metodave moderne të mësimdhënies.
Kur Shqipëria u pushtua nga Italia në vitin 1939, ai u vu në krye të demonstratave antifashiste të studentëve dhe qytetarëve. Ai u arrestua nga pushtuesit italiane dhe u internua në ishullin e Ventotenes, ku qëndroi deri në vitin 1942.
Pas kthimit në Shqipëri, ai iu bashkua qëndresës nacionaliste dhe u bë një nga drejtuesit e çetave të Ballit Kombëtar në qarkun e Korçës. Mori pjesë në luftime kundër pushtuesve italianë në Floq e Pocestë dhe në përpjekje kundër forcave gjermane në Barmash, në bashkëpunim me Misionin Britanik.
Safet Butka besonte në një Shqipëri të lirë, kombëtare dhe demokratike. Ai kërkoi bashkëpunimin e shqiptarëve përballë pushtuesit dhe ishte ndër mbështetësit e përpjekjeve për bashkimin e forcave shqiptare. Prishja e Marrëveshjes së Mukjes dhe nisja e vëllavrasjes nge komunistët e tronditën thellë.
Për Safet Butkën, armiku i Shqipërisë nuk duhej të bëhej shqiptari.
Pikërisht këtu qëndron edhe tragjedia e fundit të tij.
Pas një beteje kundër italianëve në Pocestë, Safet Butka u rrethua nga komunistët në Teqenë e Melçanit.
Ai e kuptoi se përballë tij nuk ishin më vetëm pushtuesit e huaj, por shqiptarë që po përgatiteshin të luftonin kundër shqiptarëve.
Safet Butka nuk pranoi të luftonte kundër shqiptarëve. I rrethuar nga komunistët në teqe, ai i dha fund jetës për të mos luftuar kundra shqiptarëve dhe për të mos rënë në duart e tyre. Më 19 shtator 1943, në moshën 42-vjeçare, u vetëflijua në Melçan.
Ky nuk ishte thjesht fundi tragjik i një njeriu.
Ishte fundi tragjik i një patrioti që nuk pranoi ta shihte Shqipërinë të mbytej në gjak nga lufta vëllavrasëse.
Safet Butka luftoi kundër pushtuesit, luftoi për Shqipërinë, por në çastin e fundit zgjodhi të mos e kthente armën kundër shqiptarit.
Sot, 83 vjet pas rënies së tij, emri i Safet Butkës mbetet pjesë e kujtesës kombëtare shqiptare, si intelektual, si patriot, si luftëtar dhe si një nga figurat që e pagoi me jetën bindjen se Shqipëria nuk mund të ndërtohej mbi vëllavrasjen.

About Krye Redaktor

Check Also

Takimi në mesnatë i Ramës me Agasin/ Denoncimi…

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë një denoncim ndaj kryeministrit …