Ambasadorja e BE në Tiranë shkon në zyrën e Klodian Brahos, zbulohet fokusi i bisedës
Ambasadorja e re e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.
Takimi është fokusuar te forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Përmes një njoftimi, Delegacioni i BE-së në Tiranë bëri të ditur se Moreira de Sousa rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për një SPAK të pavarur dhe efikas.
“Puna e SPAK-ut kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Pas takimit, ambasadorja e re e BE-së deklaroi se mbështetja për Prokurorinë e Posaçme do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Në takimin tim të parë me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, rikonfirmova mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të BE-së për një SPAK të pavarur dhe efikas”, u shpreh ajo.
Sipas Moreira de Sousa, rezultatet konkrete në përballjen me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë janë të rëndësishme edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gazeta RD