Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për largimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, duke deklaruar se shkarkimi i saj nuk e zgjidh problemin dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Reagimi vjen pas zhvillimeve të forta të kësaj të marte, kur GJKKO, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi”, shoqëruar me pezullimin nga detyra. Masa raportohet se është marrë në kuadër të hetimeve të lidhura me dosjen e AKSHI-t dhe Ergys Agasin.
Bardhi pretendon se Hyseni është vendosur në krye të SHISH për t’i shërbyer interesave të krimit të organizuar, ndërsa kujtoi se akuza të ngjashme i kishte artikuluar publikisht që në vitin 2024.
“Vlora Hyseni e ka bërë shumë mirë detyrën që i ka ngarkuar Kryeministri: informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar! E kam thënë nga foltorja e Kuvendit në 2024:
Për Bardhin, largimi i Hysenit pas masës së sigurisë nuk mjafton për të mbyllur përgjegjësinë politike të kryeministrit. Ai argumentoi se problemi nuk qëndron vetëm te personi që drejton SHISH, por te mënyra se si, sipas tij, Rama zgjedh njerëzit që vendos në krye të institucioneve.
“Prandaj, shkarkimi i Vlora Hysenit, edhe pse Kryeministri ka alergji nga fjala ‘pezullim nga detyra’, nuk zgjidh asgjë. Në vend të saj do të vijë një Vlorë tjetër, sepse Kryeministri i vendit nuk është një njeri i lirë”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.
Bardhi e mbylli reagimin duke kërkuar drejtpërdrejt largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe hetimin e tij nga organet e drejtësisë.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë!”, përfundon Bardhi.
Gazeta RD