Deputeti i PD, Tomor Alizoti i kërkoi Kryetarit të Kuvendit që të thërrasë kryeministrin Edi Rama në Parlament dhe të përgjigjet në lidhje me skandalin që ka prekur institucionin e rëndësishëm të SHISH.
“Tragjedia dhe komedia janë motër e vëlla. Por ka një gjë të mirë sot përveç tragjedisë, që shqiptarët po shohin recitimet e këtij krahu. Unë nuk besoj se është Parti Socialiste. Unë kam takuar dhe njohur socialistë me ide të majta që vinin nga lindja por mendjen e kishin plot kulturë. Mund ta kishin në dimension lindor, por nuk ishin asgjë me Suel Çelën, Pojën dhe Agasin.
Mendonin se bota me teori të majta mund të ishte më e mirë. Nuk kishte lidhje fare me llumin e Shqipërisë. Sot duhet të çoheshin këta socialistë që janë fshehur dhe të thoshin dy fjalë sepse drejtoresha u caktua nga kryeministri i PS dhe ka përgjegjësi politike. E shikojnë qytetarët.
Elbasanin e fitoi Suel Çela, Durrësin Poja, Fierin paratë e Ballukut. E thoshin edhe në Elbasan do të dalin sot. Ja ku dolën çunat te përgjimi, që u fik radari. Kjo nuk ka lidhje me të majtën. E majta mbron punëtorin. Po ca lidhje ka e majta me dashuritë e Vlora Hysenit me krimin? Ju zoti kryetar i parlamentit, kjo është miqësore, ky është moment historik për ju.
Politika është përballje. Ju do të jeni i vetmi kryetar i parlamentit nëse do të keni këllqe ta thërrisni në mënyrë kushtetuese kryeministrin të vijë këtu. Do të jeni i pari në historinë e Shqipërisë që guxon të dalë kundër kryetarit. Nëse bëni këtë do iu shohin shqiptarët. Nesër si çdo njeri do t’iu zëvendësojë dikush tjetër”, tha ai.
Gazeta RD