Prononcimi i Kryetarit të PD, Prof. Dr. Sali Berisha, jashtë Kuvendit
Seanca e sotme është dëshmi tjetër flagrante se ky parlament përfaqëson krimin e organizuar, përfaqëson interesat më kriminale të Padrinos së vendit dhe nuk besoj se mund të gjendet një i dytë në planet që para një superskandali të rrallë në mbarë botën, bën avokatinë e regjimit, avokatinë e krimit dhe nuk shprehin as dhe qëndrimin më të vogël kritik.
Natyrisht Edi Rama nuk është më kryeministri i Shqipërisë, por është Padrino i Shqipërisë.
Fajktohet në mënyrë përfundimtare si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë.
Me superskandalin e Vlora Hysenit, e emëruar jashtë çdo lloj kriteri në pozicionin më të rëndësishëm në raport me sigurinë kombëtare, e cila qëndroi aty si shërbëtore e dy zotërinjve, e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit, u vu e tëra në shërbim të organizatës kriminale.
Nuk ka në historinë e shtetit shqiptar një akt më të rëndë, dhe e vërteta është që në çdo lloj analize në raport me sigurinë kombëtare, kjo përbën një akt madhor të asgjësimit të saj dhe të tradhtisë ndaj sigurisë kombëtare.
Por, Vlora Hyseni ka zbatuar në çdo veprimtari të saj porositë, urdhrat e Edi Ramës.
Lidhjet e saj me Ergys Agasin i ka ditur e gjithë kryeministria dhe SHISH.
Nuk ka asnjë risi në ato lidhje.
Por problemi është se përdorimi i të dhënave sekrete të SHISH në funksion të karteleve, në funksion të grupit të strukturuar kriminal, është goditje e tmerrshme për sigurinë kombëtare, për besueshmërinë e Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtarë.
Dhe duhet ta dini se në ato që janë marrëdhënie besimi, shërbimet inteligjente kanë një vend jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Dhe absolutisht SHISH që nga themelimi gjer sot ka një trashëgimi shumë të çmuar bashkëpunimi me shërbimet më të mëdha të vendeve partnere, por edhe shërbime të vendeve të tjera dhe bashkëpunim të suksesshëm.
Nuk ka lajm më të keq se sa lajmi se njeriu kryesor me të cilën ata bashkëpunonin ishte një kriminele që shiste sekretet e shtetit dhe shërbente si mburojë e anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.
Por mes të gjithë anëtarëve dhe të gjithë emrave që ju mund të keni dëgjuar, Ergys Agasi është absolutisht mafiozi më i rrezikshëm i Evropës.
Pse kjo? Se ky është i vetmi bos i krimit që kishte në kontroll të plotë, dhe unë e kisha denoncuar me kohë këtë, shërbimin informativ të shtetit.
Në kontroll të plotë ministrinë e rendit dhe policinë e shtetit.
Në kontroll të plotë segmente të sistemit të drejtësisë.
Ishte faktikisht zëdhënësi më i fuqishm i Padrinos së Shqipërisë.
Përveç kësaj, përmes SHISH, ai kontrollonte të gjitha sekretet që NATO i ka besuar Shqipërisë.
Dhe akoma më shumë, ky grup i strukturuar kriminal kanë kontrolluar internetin dhe komunikimet me internet të shqiptarëve dhe të huajve në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Për të gjitha këto, Ergys Agasi është krimineli më i rrezikshëm që ekziston.
Dhe ai kishte një shërbëtore, kishte nën urdhrat e tij kryetaren e SHISH.
Në fakt, e them dhe njëherë, çdo veprim dhe akt i tyre, i Vlora Hysenit, i Ergys Agasit, i Ermal Beqirit, Karçanajt, drejtorit të përgjithshëm të policisë, Proda, etj, janë bërë absolutisht me urdhër dhe dijeni të plotë të Edi Ramës.
Këta persona, në raste të caktuara, po flasin dhe do të flasin.
Skandali, afera është e një rrezikshmërie të lartë dhe e përmasave tepër të mëdha.
Asnjë reflektim.
A i patë deputetët? Jo më kot u thashë se janë deputetët e Kodrës së Kuajve.
Gjatë gjithë fushatës elektorale, çdo dy-tre net, Ergys Agasi, klanet e Elbasanit, klanet e Durrësit, Vangjush Dako mblidheshin tek lokali që menaxhonte ky Embro Sulejmani, menaxher se pronar është dikush tjetër, edhe ai është i kësaj bote, dhe bënin projektin e grabitjes së mandateve.
Ndaj dhe sot këtu, deputetët e Kodrës së Kuajve ishin deputetët më aktivë në mbrojtje të Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit.
Kjo e tëra dëshmon se Shqipëria është në krahët e krimit.
Se PS është themeluar mbi krimin dhe vrasjet.
Ka sunduar mbi krimin monstruoz të diktaturës komuniste dhe sundon sot mbi krimin, kartelet e drogës dhe vjedhjet e shqiptarëve.
Gazeta RD