Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se mekanizmi i propozuar ndjek modelin “KAYO”, duke e larguar administrimin e fondeve dhe kontratave publike nga konkurrenca, transparenca dhe llogaridhënia e plotë.
Sipas deputetes demokrate, qeveria po përgatitet të përqendrojë më shumë kompetenca dhe miliarda lekë në duart e një rrethi të ngushtë, në një kohë kur qytetarët shqiptarë vazhdojnë të përballojnë vetë një pjesë të konsiderueshme të kostove të kujdesit shëndetësor.
Tabaku thekson se familjet shqiptare paguajnë drejtpërdrejt nga xhepi 48,3% të faturës së përgjithshme të shëndetësisë, ndërsa buxheti publik i këtij sektori për vitin 2026 mbetet në nivelin 2,9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ajo e përshkruan këtë mënyrë veprimi si një formulë tashmë të njohur të qeverisë: krijimin e një strukture shtetërore, përzgjedhjen e partnerëve të parapëlqyer dhe përqendrimin e pasurive, privilegjeve dhe kontratave publike në pak duar.
Sipas Tabakut, në këtë model kapitali kryesor nuk është eksperienca, konkurrenca apo investimi, por afërsia me Kryeministrin. Ajo paralajmëron se struktura e re rrezikon të funksionojë pa garë reale, pa transparencë dhe pa kontroll të plotë mbi mënyrën e përzgjedhjes së partnerëve dhe shpenzimit të parave publike.
“Ky nuk është modernizim i shëndetësisë. Është modeli ‘KAYO’ i shtrirë mbi shëndetin e shqiptarëve”, deklaron deputetja e PD-së.
Në përfundim, Tabaku e lidh nismën me atë që ajo e cilëson si personalizim të institucioneve dhe përdorim të pushtetit publik në shërbim të një pakice. Sipas saj, Edi Rama dhe Partia Socialiste përbëjnë pengesën kryesore për ndërtimin e një shteti që punon për qytetarët dhe jo për klientët e pushtetit.
“Beteja jonë nis këtu: së bashku kundër një sistemi që përdor shumicën për t’i shërbyer pakicës”, përfundon Tabaku.
Gazeta RD