Izolimi i Autokratit të Shqipërisë në Nju Jork!

Nga Bujar Leskaj

Vizita e drejtuesve të shteteve në Nju-Jork, gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zakonisht shoqërohet me një program të gjerë takimesh dypalëshe, përfshirë kontakte me zyrtarë të mesëm ose të lartë të qeverisë federale amerikane.
Java e Asamblesë së Përgjithshme është një periudhë jashtëzakonisht e ngarkuar diplomatikisht. Drejtuesit e shteteve zhvillojnë takime dypalëshe me homologë, drejtues organizatash ndërkombëtare, institucione financiare, me përfaqësues biznesi dhe aktorë të tjerë.
Për një kryeministër të Shqipërisë, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara kanë një peshë të veçantë, për shkak të aleancës në NATO, bashkëpunimit në siguri, drejtësi, ekonomi dhe në politikë të jashtme.
Prandaj dhe vizitat gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së çdo vit, janë shoqëruar me takime dypalëshe me homologë, me takime me drejtues organizatash ndërkombëtare, me institucione financiare ndërkombëtare, etj.
Këto ditë shtatori në Nju-Jork, Rama mbeti vetëm, si një lebroz. Nuk iu afrua askush. Ngeli në praninë e vezëve të indinjatës, nga përfaqësues të komunitetit shqiptar në Miçigan. Protesta qytetare në Tiranë, në ditën e saj të 120-të, e ka nxjerrë lakuriq përpara botës Autokratin e Shqipërisë. Të gjithë gjithë e kanë parë në ngjyrat e tij të vërteta drejtuesit e sotëm problematik të vendit tonë.
Prandaj dhe gjatë vizitës katërditore të Ramës në SHBA, ai nuk zhvilloi asnjë takim me homologë të tij, apo edhe me përfaqësues të administratës federale amerikane, qoftë edhe të nivelit të mesëm.
Në të kundërt, ishte ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri, i cili pritej të vinte tek ne më 2 tetor, ai që nxitoi dhe, për shkak të megaskandalit të kërkesës për arrestim nga SPAK të drejtueses në detyrë të SHISH, erdhi në Tiranë shumë më herët. Dhe të shtunën, më 26 shtator, në një rast të paprecedent për ceremoni të tilla në fundjavë, i dorëzoi kredencialet tek Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Kjo dëshmon për interesin dhe shqetësimin e jashtëzakonshëm të partnerëve amerikanë, për megaskandalin ku është përfshirë një vend aleat i tyre dhe anëtar i NATO-s. Ky megaskandal ka dridhur themelet e shtetit shqiptar dhe po e fundos gjithnjë e më shumë Ramën, Autokratin e izoluar të Shqipërisë.
Izolimi i Ramës në Nju-Jork është një sinjal i qartë politik, për ditët e tij të numëruara si kryeministër dhe për afrimin e kohës, kur do të nisë të japë llogari për të gjitha zullumet dhe të këqijat që u ka bërë shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Nuk ka rracë më të poshtër se sekti Rama!

Nga Ilir LEVONJA … nuk ka race me te poshter se sekti Rama. E sollen …