Nga Luçiano BOÇI
Ardhja e ambasadorit amerikan Eric Wendt në Shqipëri mbart një domethënie që shkon përtej protokollit diplomatik.
Profili i tij i lartë dhe përvoja në përgjegjësi të rëndësishme ndërkombëtare ngjallin pritshmëri për një kapitull të ri të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në një kohë kur vendi ynë ka nevojë për besim, institucione të forta dhe një demokraci që funksionon.
Për ne në Partinë Demokratike, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara është pjesë e identitetit tonë politik.
Ajo lidhet me aspiratën që na bashkoi në lindjen e pluralizmit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të lidhur përfundimisht me Perëndimin.
Kjo zgjedhje na ngarkon me përgjegjësinë për t’i mbrojtur çdo ditë vlerat që i japin kuptim, përmes qëndrimeve tona, veprimit politik dhe alternativës që u ofrojmë shqiptarëve.
Ambasadori Wendt sjell përvojën e një karriere të gjatë në shërbim të vendit të tij, në strukturat e NATO-s dhe në mjedise ku siguria kërkon gjykim të kthjellët e përgjegjësi konkrete.
Bashkëpunimi i tij me ushtarakët shqiptarë i jep kësaj ardhjeje edhe dimensionin e një njohjeje të drejtpërdrejtë me njerëzit tanë dhe me kontributin e Shqipërisë në Aleancë.
Ky profil na jep arsye të shpresojmë për një partneritet që vlerëson me seriozitet si potencialin e vendit tonë, ashtu edhe sfidat me të cilat përballet.
Nga pozicioni i opozitës, kemi detyrimin të flasim hapur për këto sfida. Përqendrimi i pushtetit, dobësimi i kontrollit institucional dhe përdorimi i shtetit në interes të partisë në qeverisje, korrupsioni galopant, dominanca e krimit të organizuar në strukturat shtetërore janë, në vlerësimin tonë, probleme që cënojnë themelet e demokracisë.
Pasojat e tyre i përjeton qytetari që kërkon një shërbim pa ndërmjetës, sipërmarrësi që kërkon konkurrencë të ndershme dhe i riu që dëshiron ta ndërtojë të ardhmen këtu.
Pikërisht këtu takohen pritshmëritë tona për demokracinë me rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA.
Një Shqipëri ku institucionet japin llogari, vota respektohet dhe ligji zbatohet njëlloj për të gjithë është një aleate më e besueshme.
Forca e saj ndërkombëtare fillon nga besimi që qytetarët kanë te shteti i tyre.
Në paraqitjen përpara Senatit, Wendt e lidhi luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës me sigurinë e të dyja vendeve. Ai theksoi edhe rëndësinë e transparencës dhe të kushteve të barabarta për investimet amerikane.
Për ne, këto janë fusha ku bashkëpunimi mund të prodhojë përfitime të prekshme për shqiptarët. Goditja e korrupsionit mbron fondet publike, kufizimi i ndikimit të krimit mbron institucionet, konkurrenca e ndershme krijon hapësirë për investime dhe vende pune.
Prandaj presim me interes një angazhim që forcon pavarësinë e institucioneve dhe aftësinë e tyre për të vepruar. Drejtësia duhet të ketë lirinë dhe kurajën të ndjekë përgjegjësinë deri në nivelin më të lartë, duke respektuar në çdo rast ligjin dhe procesin e rregullt.
Besimi i qytetarëve rritet kur askush nuk mbrohet nga posti dhe askush nuk paragjykohet nga përkatësia politike.
Ky është standardi që kemi përgjegjësinë të kërkojmë dhe të pranojmë edhe për veten tonë.
Me të njëjtën qartësi shohim rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të një Parlamenti që kontrollon qeverinë dhe të një hapësire publike ku gazetari, qytetari dhe kundërshtari politik flasin pa frikë. Këto garanci e bëjnë demokracinë të qëndrueshme dhe i japin qytetarit bindjen se ndryshimi është i mundur përmes votës së tij.
Partia Demokratike hyn në këtë kapitull të ri me vullnetin për një komunikim të hapur, serioz dhe të mbështetur në fakte.
Detyra jonë është të denoncojmë abuzimin, të propozojmë zgjidhje dhe të fitojmë besimin e shqiptarëve.
Përgjegjësinë për ndryshimin e marrim vetë, duke e konsideruar miqësinë me Shtetet e Bashkuara një mbështetje të çmuar për aspiratën demokratike të shoqërisë sonë.
Kjo miqësi u përket shqiptarëve. Madhështia dhe qëndrueshmëria e saj burojnë pikërisht nga aftësia për të kapërcyer mandatet qeverisëse dhe interesat e çastit.
Ta respektosh do të thotë ta mbrosh nga përdorimi për konsum të brendshëm politik dhe ta pasurosh me besueshmëri, sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë.
Me këtë bindje e mirëpresim ambasadorin Wendt.
Shpresojmë që misioni i tij të shënojë një thellim të bashkëpunimit mes vendeve tona dhe të forcojë besimin se Shqipëria mund të jetë një vend ku liria mbrohet, puna shpërblehet dhe pushteti jep llogari.
Mirë se vini në Shqipëri, zoti ambasador!
Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një bashkëbiseduese serioze dhe një partnere e vendosur në forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane dhe të vlerave që e mbajnë atë gjallë.
Gazeta RD