Nga Genc POLLO

Më interesant ishte fjalimi i KM Rama dy ditë më parë në mbrëmjen gala të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane po në New York, po në anglisht. Sidomos tre fjalë të tij:
1- Biden/Trump tradhtarë
Në Tiranë e Prishtinë bëri bujë fajësimi nga Rama i Presidentit Biden dhe i Amerikës (this country) si tradhtues i Kosovës në kontekstin e dënimit të liderëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Në fakt Joe Biden si senator spikati me qëndrime të drejta për krizën e ish-Jugosllavisë; si president nuk spikati për ndonjë gjë të madhe edhe pse shumicën e kohës dukej se humbi kthjelltësinë e mendimit dhe kontrollin ja morën funksionarët rreth tij. Po të besojmë një ish zyrtar të Kongresit ishte presidenti Obama, i cili hyri në një allishverish me Rusinë për Iranin, dhe e pranoi kërkesën e Moskës për ngritjen e kësaj Gjykate. Shumë komentatorë i shpjegojnë këto fjalë të Ramës si servilosje ndaj Presidentit Trump, i cili qesëndis me dhe pa vend Biden-in, paraardhësin në ofiq. Por komentatorët, me ose pa njohuri në psikanalizë, mund të shohin sinjalin se Amerika tradhton. Pra Amerika e Presidentit Trump që i përmend si shumë shpesh Qeverisë Rama narko-rrjetet kriminale transnacionale mund jetë tradhtare; sidomos në krahasim me Amerikën e Administratës Biden të cilës Rama arrinte t’ia përdorte zyrtarët si mercenarë të regjimit të tij.
2- “Suksesin nuk ta falin”
Me shprehjen “suksesin nuk ta falin”, si shpjegim i kritikave e i protestave kundër pushtetit të tij, Rama ishte sa dramatik aq edhe jo-origjinal.
Jo-origjinal sepse kjo ishte deklarata e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj në prill 2024 pak ditë mbasi Prokuroria ekspozoi skandalin 5D. Në vend të merrte e të mbante përgjegjësisë që i takonte Veliaj zgjodhi të shpjegonte skandalin si vepër e smirëzinjve. Kjo paturpësi nxiti, ndër të tjera, protestat e përjavshme para bashkisë, të cilat zgjatën deri sa vetë Veliaj u arrestua 11 muaj më vonë tok me të shoqen nga SPAK/GjKKO për vjedhje 1 milion euroshe.
Rama ishte dramatik jo sepse parashikon detyrimisht përsëritjen e dramës Veliaj, pra të veprimit të SPAK/GjKKO kundër tij. Por sepse, ashtu si dhe ish manari i tij dy vjet më parë, dëshmon humbje të sensit të realitetit që është tronditëse për publikun dhe kontraproduktive për vetë Ramën. Çdo qeveri ka si rregull arritjet e dështimet e veta. Por kontrasti midis dukjes e thelbit në qeverinë Rama është i papërballueshëm.
Për shembull qeveria mund të pretendojë me të drejtë se ka sjellë samite europiane në Tiranë; të tilla ishin së fundmi samiti BE/Ballkan Perëndimor e ai i Komunitetit Politik Evropian që u mbajtën pranë stadiumit të madh e pranë sheshit qendror. Edhe pse në këto samite nuk u mor ndonjë vendim i rëndësishëm as për Shqipërinë e as në përgjithësi prania e liderëve evropianë dhe mbulimi mediatik që i pason ata i japin vizibilitet pozitiv vendit. Por njëkohësisht duhet thënë se Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë me zero pastrim të ujërave të zeza dhe që i shkarkon ato bruto në lumin Lana.
Në pellgun e Mesdheut kjo ndodh vetëm në Tuniz e Kairo, kryeqytetet të shteteve shumë më të varfra se ne po të krahasosh PBB për frymë. Por Bosnje-Hercegovina që me këtë indeks, është aty-aty më Shqipërinë dhe që pengesë kryesore ka mungesën e një qeverie qendrore funksionale (sipas kushtetutës se Daytonit) ka ndërtuar impiante pastruese dhe deri tashti vetëm 25% e ujërave të zeza të Sarajevës derdhen në lumin Miljacka që përshkon kryeqytetin. Shtetet e tjera e kanë kapur 100%-shin.
Lipset të jemi disi zemërgjerë me qeveritë PD e PS në dy dekadat e para të demokracisë e të mos i qortojmë për këtë problem sepse kanë pasur edhe halle të tjera më të ngutshme. Edhe Italia vetëm në fillim të v1970 arriti të mbulojë tërë Romën me impiante pastrimi.
Por vështirë se mund të bëjmë këtë me Ramën, KM prej 13 vitesh e kryebashkiak i Tiranës prej 26 vitesh. Edhe një nismë për këtë problem që daton nga viti 2008, e mbështetur nga një hua e butë japoneze, u sabotua nga babëzia qeveritare që anuloi arbitrarisht kontratën duke sjellë edhe 13 milionë euro gjobë në arbitrazh, si edhe duke lënë të ndryshken impiantet e ndërtuara në Kashar. U zgjata pak më këtë çështje së pari sepse merr vëmendje publike fatkeqësisht minimale në raport me rëndësinë që ka; së dyti sepse ilustron bukur kontrastin dukje/thelb. Ndonjë nga liderët apo nga shpura e tyre gjatë samitit mund të ketë dalë përjashta për një cigare a muhabet. Në se frynte pak erë në drejtimin veri-jug do të kenë ndjerë kutërbimin e fekaleve tona nga Lana 400 metra larg e druaj e kanë lënë përgjysmë cigaren a muhabetin.
3- “Era e poshtërimit”
E treta fjalë mbresëlënëse e Ramës me komunitetin shqiptaro-amerikan ishte pohimi se më qeverinë Rama kishte mbaruar era e poshtërimit të shqiptarëve në Europë e në botë. Sipas tij shqiptarët në periudhën e demokracisë shiheshin si problem dhe bezdi madje me një farë përçmimi ndërkohë që tashti kjo “periudhë poshtërimi” në sajë të udhëheqjes personale të tij ka mbaruar dhe shqiptarët shihen e trajtohet me respekt si europianët e tjerë bie fjala portugezët apo estonezët.
Së pari është interesante që Rama kësaj radhe huazon një slogan kinez të lançuar fillimisht nga Sun Jat Seni e Çan Kai Sheku si Era e Poshtërimit që filloi në 1849 me imponimin e kushteve të rënda nga Fuqitë Europiane e më pas nga Japonia. Mao Ce Duni dhe Partia e Komuniste e Kinës që morën pushtetin në v1949 folën për Shekullin e Poshtërimit (në mandarin Bainian Guochi, 1849-1949) si parulla qendrore legjitimuese e pushtetit të ri që u kishte rikthyer kinezëve sovranitetin e dinjitetin. Meqë Shqipëria kishte një histori të ndryshme nga Kina Enver Hoxha dhe PKSh/PPSh u mjaftuan me “regjimet antipopullore”. Sidoqoftë këtë Kina e Shqipëria përjetuan një preje historike në gjysmën e dytë të viteve 1940. Por mbetet e pakuptueshme pse Rama, qoftë edhe retorikisht, mendon se sundimi i tij shënon një cezurë të ngjashme. Emigrantët e viteve 90 ishin përgjithësisht shqiptarë të varfër si të tërë dhe patën vështirësitë e tyre me adaptimin e integrimin në Greqi, Itali e gjetiu. Emigracioni po aq masiv gjatë qeverisë Rama preku më shumë shtresën e mesme e profesionistët me aftësi integruese më të larta por duke lënë një vakum problematik në Shqipëri. Ndërkohë si fenomen jo thjesht bashkëkohor por edhe si produkt i qeverisë Rama kemi narko-rrjetet shqiptare që kontrollojnë trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe strehojnë fitimet në atdhe me asistencën e qeverisë. A bën kjo që poshtërimi të marrë fund? Pa folur për skandalet pa fund në majat e pushtetit që nuk i bëjnë shqiptarët më shumë krenarë dhe as europianët më pak poshtërues.
Por nuk mendoj se Rama do të japë shpjegime për sa më lart; ai ose do shkërmoqet e thithet nga vorbulla e problemeve që ka shkaktuar ose, në rastin më të mirë për të, do të ketë ende kohë të shpallë të tjera hiperbola megalomaniake si në Nju York.
*President i Paneuropa-Shqipëri
Gazeta RD