Lamtumira e kërcënimeve e të pakallurit

Nga Ndriçim KULLA

Pas kthimit nga New York-u, Edi Rama nuk dha përshtypjen e një kryeministri që po kthehej nga një përballje e vështirë ndërkombëtare për të dhënë llogari përpara vendit të vet; përkundrazi, në sjelljen e tij të ditëve të fundit u shfaq një figurë politike që dukej sikur kishte kaluar nga pritshmëria e një fundi politik në një fazë të re sfide, sikur ajo që pritej prej tij si një akt përgjegjësie, qoftë edhe si dorëheqje, ishte zëvendësuar me një gjuhë më të ashpër ndaj kundërshtarëve, ndaj popullit që qeveris dhe, në mënyrë gjithnjë e më të dukshme, edhe ndaj Evropës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kjo është ajo që e bën kthimin e tij nga New York-u më shumë se një episod të zakonshëm të një udhëtimi diplomatik. Ai u kthye prej andej me një gjuhë që dukej më pak e interesuar për të shpjeguar realitetin shqiptar dhe më shumë për ta përmbysur atë, duke u paraqitur si njeriu që e di të vërtetën dhe si të tjerët, shqiptarë apo evropianë qofshin, të gjithë e kanë gabim.

Në këtë kuptim, ajo që mund të quhet metaforikisht “lamtumira e kërcënimeve” nuk është thjesht një shprehje për një fjalim apo një deklaratë të veçantë, apo për një sallë të braktisur kur ai foli; është një mënyrë për të përshkruar një ndryshim të tonit politik, ku sundimtari që ndien se hapësira e tij po ngushtohet dhe po braktiset nuk tërhiqet, por përpiqet ta zgjerojë edhe më tej hapësirën e frikës, të përçmimit dhe të sfidës.

Këtu fillon edhe paradoksi i madh i kësaj historie.

Pas një periudhe ku nga New York-u u pritën sinjale të forta, pas gjithë atij misteri të krijuar rreth konferencave, deklaratave dhe lëvizjeve të tij, arsyeja e thjeshtë politike do të priste prej tij një moment reflektimi. Nëse jo dorëheqje, të paktën një komunikim më të qetë me vendin, një përpjekje për të shpjeguar çfarë po ndodh, një hap drejt dialogut. Por ndodhi e kundërta: ai u shfaq përsëri si një njeri që nuk dëshiron të japë llogari, por të përcaktojë vetë se çfarë është realiteti dhe çfarë duhet të mendojë publiku për të.

Kjo është një nga shenjat klasike të pushtetit diktatorial.

Në një demokraci normale, kryeministri i përgjigjet kritikës me argumente. Në një sistem politik të personalizuar, kritika fillon të interpretohet si sulm ndaj shtetit, kundërshtari si armik, qytetari i pakënaqur si i manipuluar, ndërsa ndërkombëtari që kërkon llogari si dikush që nuk e ka kuptuar “realitetin shqiptar”. Dhe kështu pushteti nuk mbrohet më duke shpjeguar veten; fillon të mbrohet duke akuzuar të tjerët.

Kjo është pikërisht ajo që të jep përshtypjen e një kthimi politik nga New York-u jo me gjuhën e një kryeministri që ndien nevojën për të qetësuar vendin, por me sjelljen e një sundimtari që beson se ende mund t’i vendosë vetë kufijtë e së vërtetës.

Nëse do të kërkonim një figurë letrare për ta përshkruar këtë gjendje, Shekspiri do të na ofronte pa vështirësi atmosferën e duhur. Jo sepse Edi Rama është një personazh i Shekspirit, por sepse tragjedia shekspiriane njeh mirë çastin kur pushteti, përballë shenjave të rënies, nuk e pranon paralajmërimin dhe përpiqet ta mundë fatin me zhurmë. Makbethi, në momentet e tij të fundit, nuk bëhet më i qetë sepse e ndien se toka po i rrëshqet nën këmbë; ai bëhet më i ashpër, më sfidues dhe më i bindur se mund ta shtyjë edhe pak më tej fundin.

Te Edi Rama, problemi qëndron pikërisht këtu: sa më shumë që shtohet urrejtja rreth pushtetit të tij, aq më shumë duket se shtohet nevoja për të krijuar një skenë tjetër, një konflikt tjetër, një armik tjetër, një spektakël tjetër.

Dhe spektakli më i fundit ishte përsëri Evropa.

Në deklaratat e tij për zgjerimin evropian, Rama përdori metaforën e fëmijëve të Ursula von der Leyen-it dhe vendeve kandidate, duke e shndërruar një çështje serioze strategjike në një skenë të ndërtuar mbi humorin, ironinë dhe paralajmërimin se vendet e lëna jashtë mund të orientohen drejt Rusisë ose Kinës. Është një provokim i adresuar me cinizëm edhe herë të tjera. Në vetvete, debati mbi ritmin e zgjerimit të Bashkimit Evropian është krejt legjitim dhe Shqipëria ka interes të drejtpërdrejtë në të; por mënyra e paraqitjes së tij nga një kryeministër shqiptar ngre një shqetësim tjetër: kur një vend kërkon të hyjë në një bashkësi politike, a duhet të flasë me gjuhën e argumentit dhe të reformave, apo me gjuhën e një ultimatumi të mbështjellë me humor?

Këtu qëndron një nga paradokset më të dukshme të retorikës së sundimtarit.

Ai kërkon Evropën, por shpesh flet me Evropën sikur të ishte në gjendje t’i tregonte asaj se çfarë duhet të bëjë. Ai kërkon mbështetjen amerikane, por në të njëjtën kohë ndërton një profil publik që synon të tregojë se askush nuk mund t’i diktojë atij mënyrën se si duhet të sillet. Ai kërkon të paraqitet si lider ndërkombëtar, ndërsa në vendin e tij rritet gjithnjë e më shumë distanca midis pushtetit dhe shumicës së shoqërisë që kërkon llogaridhënie.

Dhe pikërisht këtu lidhet edhe deklarata e tij në OKB për antisemitizmin. Një akuzë e tillë, sidomos kur lidhet me njerëzit e një vendi që ai drejton, nuk është një fjali e zakonshme politike dhe nuk mund të trajtohet si një episod i parëndësishëm retorik. Antisemitizmi është një fenomen real dhe i rrezikshëm, ndaj përdorimi i këtij termi në një debat politik kërkon përgjegjësi të veçantë, prova dhe dallim të qartë midis një fenomeni konkret dhe kundërshtimit politik. Përndryshe, një term me peshë historike dhe morale rrezikon të shndërrohet në instrument për të delegjitimuar kundërshtarin.

Kjo është arsyeja pse një kryeministër nuk mund të sillet sikur çdo kundërshtar është një armik moral dhe çdo kritikë ndaj qeverisë është një shenjë e ndonjë devijimi të rrezikshëm shoqëror.

Kjo mënyrë e të folurit e zhvendos debatin nga pyetja “çfarë po ndodh në Shqipëri?” te pyetja artificiale “çfarë duhet të mendojë bota për ata që kritikojnë Shqipërinë?”

Ky tashmë është një mekanizëm i njohur i propagandës politike i shtetit totalitarist ku, në vend që të përgjigjet për realitetin, përpiqet të përcaktoj paraprakisht se si duhet interpretuar ai realitet.

Por Shqipëria nuk është një kopsht me mollë që mund të paraqitet nga një podium ndërkombëtar sipas këndvështrimit të kopshtarit. Është një vend me probleme shumë të mëdha dhe reale, me njerëz që largohen, me konflikte të forta politike, me demokraci të shkatërruar, me një shoqëri që kërkon drejtësi dhe se gjen dhe me institucione që vazhdojnë të përballen me shqetësime dramatike për pavarësinë, korrupsionin, transparencën dhe përgjegjësinë politike.

Kjo është arsyeja pse figura e “liderit global”, që ai ka krijuar me manipulim të madh, fillon të përplaset me figurën e kryeministrit të një vendi të vogël ballkanik ku një pjesë e madhe e debatit politik vazhdon të lidhet me çështje shumë konkrete: drejtësinë, korrupsionin, emigracionin, administratën, zgjedhjet, transparencën dhe marrëdhënien e pushtetit me institucionet.

Sa më e madhe të jetë skena, aq më i dukshëm bëhet kontrasti.

New York-u, OKB-ja, Brukseli, Uashingtoni, fotografitë me liderët botërorë, takimet ndërkombëtare, deklaratat për Evropën dhe Rusinë aktualisht po e përjetojnë në mënyrë braktisëse dhe mospërfillëse dimrin e ashpër që ka filluar në jetën politike të liderit global.

Dhe pikërisht këtu shfaqet ajo që unë do ta quaja udhëtimi makbethian i lamtumirës së kërcënimeve të tij.

Tashmë hija është futur thellë në skenë.

Dhe kur hija futet kaq thellë në skenë, nuk mjafton më ndriçimi.

Prandaj sundimtari ka filluar të flasë edhe më fort, të akuzojë më shumë, të krijojë kundërshtarë, të shpikë skena të reja dhe të kërkojë gjithnjë një publik të ri që ta dëgjojë. Kjo është arsyeja pse pas New York-ut pamë jo një tërheqje në qetësi, por një shpërthim të ri deklaratash.

Por e gjithë kjo gjuhë e re e kërcënimit dhe e sfidës, në vend që të dëshmojë qetësinë e tij, mund të lexohet thjesht si shenjë e një pushteti që e ndien se ditët po i numërohen.

Dhe normalisht këtu qëndron ironia e fundit.

Njeriu që prej vitesh ka ndërtuar figurën e kryeministrit që nuk tronditet nga asgjë, që i përgjigjet çdo kritike me humor, që e shndërron çdo krizë në spektakël dhe çdo kundërshtim në një mundësi për të treguar veten, duket tani sikur po e humb fare atë qetësi që e ka shitur si markën e tij politike.

Dhe një diktator që detyrohet të flasë gjithnjë më fort për të bindur se është ende i fortë, duket se ka hyrë në fazën më të vështirë të ekzistencës së tij politike.

Kjo është lamtumira e kërcënimeve e të pakallurit i cili, përballë vuajtjeve të mëdha të shoqërisë, ka zgjedhur të mos japë përgjigje, por të rrisë zërin.

About Redaksia

Check Also

Ndryshon studioja, jo mashtruesi

Nga Belind KELLIÇI Edi Rama prej kohësh nuk del para gazetarëve shqiptarë duke shmangur pyetjet …