I ftuar në emisionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, me moderatore Armela Ferko, Kedhi deklaroi se Shqipëria nuk mund të konsiderohet një partner i besueshëm nëse ekonomia e saj, sipas tij, mbështetet te paratë e drogës dhe në rast të ndërprerjes së tyre rrezikon të përballet me kolaps ekonomik.
‘Mund të jetë një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një vend që mbahet me paratë e drogës dhe në momentin që këto para ndërpriten shkon në kolaps ekonomik? Pa diskutim që jo’, u shpreh Kedhi.
Sipas tij, një situatë e tillë do të sillte pasoja jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për stabilitetin e rajonit.
Kedhi ngriti gjithashtu shqetësimin për rënien e popullsisë së Shqipërisë, duke iu referuar raporteve të Kombeve të Bashkuara dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare.
Sipas Kedit, Shqipëria rrezikon njëkohësisht të përballet me një ndryshim të rëndësishëm të strukturës së popullsisë, përmes ardhjes së grupeve të reja nga zona të tjera të botës.
‘Që të jemi brenda sferës perëndimore ka benefite po ka dhe përgjegjësi, për t’u kthyer tek deklarata që ju thatë. Dhe këto përgjegjësi vijnë nga modeli ekonomik që ne kemi. Nuk mund të kemi ne një model ekonomik që mbahet me paratë e drogës dhe që mund të shkojë këtu gjysma mbase e prodhimit të brendshëm bruto që varet nga kjo. Sepse çdo të ndodhë në momentin kur do mbyllet rubineti i parave të pista falë ndërhyrjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Do të ndodhi. Por unë habitem si nuk e diskutojmë ne në shoqërinë tonë më shumë se çfarë do të ndodhi kur të mbyllet ky rubinet i parave të pista, sepse këtu rrezikojmë një kolaps ekonomik ndoshta më të madh se ai i vitit ’97. Dhe nuk diskuton njeri për këtë katastrofë ekonomike që mund të ndodhi në këtë vend në atë moment. Sepse këtu është kriminalizuar çdo aspekt i ekonomisë dhe i shoqërisë shqiptare.
Mund të jetë një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një vend që mbahet me paratë e drogës dhe në momentin që këto para ndërpriten shkon në kolaps ekonomik? Pa diskutim që jo, se kjo shkakton një destabilitet dhe në rajon. Mundet të jetë një partner i besueshëm një vend që humbet gati gjysmën e popullsisë së saj në 10 vite, ka një perspektivë, siç thonë raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe raporte të tjera, ka një perspektivë që ne mund të katandisemi me 500 mijë njerëz që jetojnë këtu në vetëm pak vite të tjera, dhe Shqipëria ripopullohet me grupe të tjera që vijnë nga zona të tjera të botës.
Që ka nisur, por nuk mund të jetë një partner i besueshëm. Dhe ndaj marrja e përgjegjësive është edhe te ndërtimi i modelit ekonomik. Partia Demokratike e kishte në programin e vet, e ka në filozofinë e vet, që këtu do ketë një ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik. Nuk mjafton vetëm ikja e Ramës, por këtu duhet një çrrënjosje e këtij modeli oligarkik kriminal që është vendosur.
Absolutisht do kohën e vet, por duhet të fillojë pika e parë tek ajo filozofi qeverisëse. Dhe ne kemi filozofi qeverisëse, vendosjen e theksit tek prodhimi, tek industrializimi i vendit, industri e lehtë aq sa mund të kemi neve, tek korridori 8 dhe korridoret energjetike që i kërkojnë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë. Duke rikthyer Shqipërinë në një qendër të rëndësishme të korridoreve energjetike, të tregtisë e të tjerë me radhë. Me konceptin e interportit që ne kemi prezantuar, me uljen e taksave, incentivimin e prodhimit, të sipërmarrjes, konkurrencës së drejtë. Pra këtu fillon marrja e përgjegjësive, që këtu. Te modeli ekonomik, më pas tek siguria, tek elementët e sigurisë’, tha ndër të tjera Nikola Kedhi në SYRI TV.
Gazeta RD