Gjatë ceremonisë u evokua qëndresa antikomuniste e 29 shtatorit 1946, si dhe kujtimi i 46 malësorëve trima që u përballën me regjimin komunist.
Duke falënderuar organizatorët, në fjalën time shpreha një veneracion të thellë për kujtimin e burrit të urtë, fisnikut, qëndrestarit në burgjet e komunizmit, malësorit të mençur, Rexhep Ukë Goxhit. Pas 10 viteve vuajtje dhe dënim në burgjet e komunizmit, në momentin që priste të lirohej, pasi nuk përfitoi nga një amnisti e rreme që organizonte regjimi në atë kohë, ai u vra pabesisht nga diktatura. U vra me një synim: për shkakun se nuk u thye, nuk u mposht në asnjë rrethanë përpara diktaturës komuniste. Nuk ishte një vrasje e thjeshtë. Ishte një vrasje nga regjimi i egër komunist që kishte filluar të përhapej egërsisht në ato vite.
Të burgosurit politikë që, në shumë raste, diktatura nuk arrinte t’i thyente, i godiste në forma të tilla edhe brenda burgjeve. Prandaj, ne përulemi me respekt përpara fisnikut dhe kujtimit të Rexhep Goxhit, duke i uruar suksese djalit të tij, Perlatit, dhe gjithë familjes së tij të nderuar, që të mbajnë lart emrin dhe kujtimin e babait.
Njëherazi, falënderova shoqatën për vlerësimin që i bën një heroi të gjallë, simbolit të qëndresës antikomuniste në Shqipëri, tropojanit trim, demokratit e fisnikut, burrit të fortë, Haki Adem Hoxha.
Haki Adem Hoxha, së bashku me vëllezërit e tij, për dhjetëra vite ka rezistuar ndaj diktaturës komuniste dhe ka qëndruar me dinjitet në burgjet komuniste, me karakter të fortë dhe trimëri.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje, shoqata vlerësoi: Fetë Sadik Gjonin– pas vdekjes; Ukë Çun Qehaja – pas vdekjes; Zef Mark Gjonpalin – pas vdekjes, dhe vëllezërit e tij, për qëndresën dhe luftën me armë kundër diktaturës komuniste në vitin 1946; Abdyl Qerim Mulosmanin – pas vdekjes; Rexhep Ukë Gocin – pas vdekjes, si dhe dy heronjtë e gjallë Shaqir Nuredin Gjocajn dhe Haki Adem Hoxhajn
Këta që ne nderojmë sot, malësorët trima të Nikaj-Mërturit, qëndrestarët në burgjet komuniste, zgjodhën të ishin me karakter të fortë.Zgjodhën të ishin qëndrestarë. Zgjodhën të ishin kurajozë dhe ballëlartë në raport me historinë. Dhe historia e Shqipërisë, jo vetëm historia e qëndresës antikomuniste, flet dhe do të flasë për ta.
Në atë memorial që kujton rezistencën antikomuniste të Nikaj-Mërtirajt, në atë pllakë të thjeshtë, janë qindra vite gjaku dhe sakrifice. Janë jetë të marra padrejtësisht nga diktatura gjakatare komuniste.
Është një qëndresë që na bën të gjithëve krenarë, nga Konispoli deri në Preshevë, sepse është pjesë e historisë sonë, e kujtesës sonë dhe e dinjitetit të kombit shqiptar. Kujtimi i tyre është detyrim për ne dhe për brezat që vijnë.
Ky 80-vjetor është një datë para së cilës jo thjesht duhet të përulemi me respekt, por duhet t’i bëjmë thirrje ndërgjegjes sonë. Duhet t’i bëjmë thirrje gjithë politikës shqiptare. Duhet të punojmë fort me të rinjtë, që të kujtojmë për të mos harruar.
Nuk ndërtohet demokracia mbështetur mbi harresën. Demokracia ndërtohet dhe forcohet vetëm mbi kujtesën dhe, veçanërisht, mbi kujtesën e qëndresës antikomuniste të atyre heronjve të viteve ’44, ’45, ’46, por edhe të viteve ’70, ’80 dhe ’90.
Është pikërisht kjo kujtesë ajo që forcon shtatin e kombit shqiptar; një komb i cili tashmë po zhvillohet dhe forcohet në dy shtetet e pavarura, në Shqipëri dhe Kosovë, dhe që gjithmonë kanë një objektiv strategjik të përbashkët.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, z. Et’hem Fezollari; nënkryetari i shoqatës, av. Gjovalin Progni; deputetja znj. Marjana Koçeku; kryetari i degës së Shoqatës për Tropojën, z. Shpend Mulosmani; heroi i gjallë i qëndresës antikomuniste Haki Adem Hoxhaj; përfaqësuesi i familjarëve të ish-të përndjekurve politikë, z. Gjin Gjoni, ushtarak i lartë i Policisë, tashmë në pension dhe nipi i të pushkatuarit pa gjyq, Fet Sadik Gjoni; ish-i përndjekuri politik, z. Perlat Goçi; kryetari i degës së Shoqatës për Librazhdin z. Bujar Vreto; znj. Lina Guri, mbesa e një të pushkatuari pa gjyq dhe drejtoreshë e Shkollës së Mesme “Karl Gega” në Lezhë; z. Selami Zalli, Drejtor i Përgjithshëm i AIDSSH-së; z. Besard Ndoja, Kryetar i Njësisë Administrative Lekbibaj; si dhe drejtuesit e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, z. Skënder Vrioni, z. Gjergj Marku dhe z. Altin Hoxha.