Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar marrëveshjen e arritur nga forcat politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të garuar së bashku në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar këtë dakordësi si një hap që duhet përshëndetur, duke nënvizuar se ajo i shërben interesit të shqiptarëve që banojnë në këto tri komuna.
Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por edhe atyre që ndodhen në emigracion, të marrin pjesë në procesin zgjedhor për të forcuar përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar.
“Një marrëveshje për t’u përshëndetur!”
Sipas Berishës, partitë politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës arritën dje në Prishtinë, në prani të Kryeministrit të Kosovës, marrëveshjen për të garuar me një listë të përbashkët, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet e parakohshme të Republikës së Serbisë.
Partia Demokratike e ka përshëndetur këtë marrëveshje, të cilën e konsideron në interesin më të mirë të shqiptarëve të këtyre komunave të Serbisë. Në reagim thuhet se shqiptarët e këtyre zonave, të cilët vijojnë të jenë qytetarë të Serbisë, përbëjnë minoritetin më të shtypur në Europë nga regjimi i Beogradit.
PD-ja u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve, qofshin banorë të këtyre komunave apo emigrantë, të votojnë në zgjedhje, me synimin për të siguruar përfaqësimin më të mirë të mundshëm të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Gazeta RD