Dëgjoj të propagandohet se “sot KM inauguroi shërbimin e ri të Kirurgjisë Kardio-Vaskulare” a “spitalin e ri” të tij!
Së pari përshëndes rikonstruksionin e modernizimin e godinës ekzistuese të këtij shërbimi.
Po vetëm kaq, aspak inaugurim i një “shërbimi të ri”, a “spitali të ri”, siç po trumbetohet nga Rama e fanfarat qeveritare.
Ky shërbim, shumë i rëndësishëm e i vështirë daton shumë më herët.
Ai mban prej shumë vitesh emrin e themeluesit të tij, të nderuarit e poliedrikut, Prof. Petrit Gaçe.
Nuk u inaugurua sot një “spital”, as dhe një godinë e re për këtë shërbim.
Është po e njëjta godinë e shërbimit, me po ato dimensione, e filluar së ndërtuari në fund të viteve 80-të, me iniciativën e Gaçes dhe e inauguruar më 1995.
Sot ajo përfundoi një nga rikonstruksionet e saj, siç janë realizuar edhe vite më parë të tilla, si ndodh me çdo strukturë mjekësore kohë mbas kohe, pozitive kjo.
Ndërsa Shërbimi i Kirurgjisë Kardio Vaskulare është shumë më i hershëm.
Ai ka filluar aktivitetin nën drejtimin e Prof. Petrit Gaçes që në fund të viteve 70-të për të marrë një formë bashkëkohore rreth vitit 1984.
Në këtë shërbim kanë punuar e punojnë një plejadë e shkëlqyer kirurgësh, anestezistë-renimatorë, kardiologë, biokimistë, teknikë, infermierë, etj, që kanë bërë e çojnë përpara historinë afër 50-vjeçare të atij shërbimi.
Dhe kjo është krenari kombëtare.
Jo përvetësimi e rrëmbimi i vlerave, meritave, apo dhe “godinave”, siç u tentua sot për të fshirë historinë.
“Bota nuk fillon sot”, këtë duhet të kuptojë edhe Kryeministri!

Gazeta RD