Fabio Hunda: Përshëndetje Doktor, ju keni nisur foltoren e ripërtëritjes dhe po flisni për një PD të ripërtërirë. Çfarë do të jetë konkretisht ndryshe në PD-në që ju po ndërtoni, krahasuar me opozitën e viteve të fundit?
Sali Berisha: Së pari, kjo shënon një hapje të fuqishme drejt të rinjve dhe drejt vajzave dhe grave.
Së dyti, kjo shënon një zhdërvjelltësi të plotë në komunikim, nga kryetari i partisë tek anëtari i seksionit.
Së treti, kjo shënon modernizimin dhe digjitalizimin e Partisë Demokratike. Funksionalizimin e saj në të gjitha hallkat.
Por kjo, para së gjithash ka synim, një vizion për ripërtëritjen e Shqipërisë. Shqipëria është në sallë emergjente. Ajo ka nevojë emergjente t’u japësh përgjigje një sërë problemesh në të cilat, me të cilat përballen qytetarët çdo ditë.
Dhe problemi më kryesor që përballen qytetarët sot është varfëria. Është skamja. Është papunësia. Është nga vjedhja e tmerrshme që u bëhet atyre.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka një program emergjence, me të cilin do të dyfishojë rrogat dhe pensionet.
Do të vendosë minimumin jetik 200 euro.
Do të heqë taksat mbi të gjitha mallrat bazë për qytetarët.
Do përballojë çdo shpenzim për fëmijën e parë, dhe fëmijën e dytë dhe fëmijën e tretë.
Do të angazhohet në një politikë ripopullimi, me një kuadër ligjor dhe stimul konkret për të gjithë ata që rikthehen në Shqipëri.
Do të ulë taksat për bizneset në mënyrë që ata të mund të dyfishojnë kapacitetet dhe investimet e tyre.
Do garantojë garën e ndershme dhe të lirë për çdo biznes.
Zero tolerancë ndaj drogës, krimit dhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Konfiskimit të të gjitha pasurive të paligjshme të politikanëve, oligarkëve dhe të cilitdo, kudo që janë në territorin e Shqipërisë apo jashtë saj. Shndërrimin e tyre në të mira për qytetarin shqiptar.
Gazeta RD