Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të opozitës të mobilizohen për një protestë kombëtare kundër Reformës Territoriale.
Në një mesazh të publikuar këtë të shtunë, Berisha ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën që pritet të zhvillohet më 8 tetor, në ditën kur reforma do të diskutohet në Parlament.
“Ju ftoj të mobilizohemi, të angazhohemi në protestën më të fuqishme kombëtare që ka njohur vendi ditën e diskutimit në Parlament të reformës territoriale”, tha Berisha.
Thirrja vjen në një kohë kur kundërshtimet ndaj hartës së re territoriale janë shtrirë në disa qytete të vendit. Në javët e fundit janë zhvilluar protesta në Prrenjas, Poliçan, Patos, Maliq, Selenicë, Belsh dhe Fushë-Arrëz, ku banorët kanë kundërshtuar bashkimin e bashkive të tyre me njësi të tjera.
Në Patos, banorët kanë protestuar disa herë kundër bashkimit me Fierin, ndërsa në Selenicë është kundërshtuar shkrirja e bashkisë dhe bashkimi me Vlorën. Në Fushë-Arrëz, protestuesit kanë kundërshtuar bashkimin me Pukën, ndërsa në Prrenjas banorët kanë kërkuar që qyteti të ruajë statusin e bashkisë më vete.
Në Poliçan, ku gjithashtu u zhvillua protestë, banorët kanë kundërshtuar përfshirjen e bashkisë në Bashkinë e Beratit dhe kanë firmosur një peticion për ruajtjen e saj si njësi më vete.
Propozimi i mazhorancës parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, me shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore. Ndërkohë, opozita ka paraqitur një alternativë me 100 bashki.
Gazeta RD