SPAK arrestoi sot me një superoperacion administratorin e inceneratorit të Elbasanit pasi ai kishte bërë korrupsion me 400 mijë lekë. Shumë mirë dhe një bravo e madhe për SPAK, por pyetja shtrohet nëse SPAK u arrestua për të luftuar korupsionin e zyrtarëve të lartë apo hajdutët e xhepave.
Si ka mundësi që arreston për korrupsion me 400 mijë lekë një administrator inceneratori dhe le të lirë kreun e skemës që ka grabitur 400 milionë euro? Jo vetëm që nuk e prek, por as guxon ta thërrasë SPAK një herë të vetme për ta pyetur se si i bëri 17 procedura brenda një dite.
Më shumë se një luftë kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ngjarja e sotme ngjan si përfshirje e prokurorëve në luftën e brendshme mes hajdutëve të PS.
Njoftimi i SPAK
SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Gazeta RD