I ftuar në studion e “Top Story” nga Grida Duma, ish-prokurori Eugen Beci foli për dy kompani të lidhura me industrinë e armatimit, AAT dhe TIMAK Defence, janë në fokus të hetimeve të SPAK.
Beci tha se hetimi nuk lidhet me 140 milionë eurot e shpenzuara për fishekë dhe veshje, por me aktivitetin e dy prej kompanive që ai i cilësoi si “bijat” e KAYO-s.
Ai theksoi se, problematika kryesore lidhet me AAT, e cila është krijuar me objekt kryesor prodhimin e armatimit ushtarak, ndërsa nga verifikimet e të dhënave zyrtare, sipas Becit, rezulton e licencuar për tregti, magazinim dhe transport të armatimit ushtarak, pa pasur licencë apo kapacitete reale për prodhim.
“Është një mospërputhje mes objektit të prodhimit dhe licencës reale të tregtimit”, deklaroi Beci, duke shtuar se kjo mospërputhje, e ndërthurur me përgjime të dorëzuara në Prokurorinë e Posaçme, ka ngritur dyshime për trafik armësh.
Beci iu referua edhe një përgjimi ku, flitet për dërgimin e armëve në Ukrainë. Ai tha se në një komunikim ukrainasi i thotë Ronit: “Do marrim ca armë t’i çojmë në Ukrainë”, ndërsa Ronny përgjigjet se do të shkojë në Sudan bashkë me ambulancat.
Sipas Becit, hetuesit po verifikojnë një skemë të dyshuar në të cilën armët mund të kenë ardhur nga Sudani, të kenë marrë në Shqipëri logon AL dhe më pas të jenë dërguar drejt Ukrainës.
“Shkoj në Sudan, vijnë armët”, tha Beci, duke shtuar se Prokuroria e Posaçme po verifikon nëse dokumentacioni dhe licencat mund të jenë përdorur për trafik armësh.
Në fokus është edhe TIMAK Defence për të cilën Beci tha se kjo kompani është krijuar në një kohë kur KAYO kishte marrë 10.5 milionë euro dhe se prokuroria po verifikon aktivitetin dhe vendndodhjen e kompanisë.
“Ku është vendosur kjo kompani? Është vendosur në një ambient të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme?”, ngriti pyetjen Beci.
Në përfundim, ai tha se të gjithë këta elementë krijojnë, sipas tij, një dyshim të arsyeshëm për trafik armësh ose shpërdorim detyre.
Gazeta RD