Berisha: Këto vite vendi pati një opozitë nga më të fortat, por koha na thërret sot të ripërtërijmë Shqipërinë

Kryetari i PD, Sali Berisha, iu drejtua demokratëve të Lezhës, Kurbinit dhe Mirditës në ‘Foltoren e Ripërtëritjes’ se Shqipëria në këto vite pati një opozitë nga më të fortat, nga më aktivet. Ai tha se pas një periudhe të vështirë për opozitën, tashmë koha kërkon një fazë të re politike.

Berisha tha se demokratët qëndruan përballë vështirësive jo për interesa personale apo familjare, por, sipas tij, për dinjitetin njerëzor dhe atë kombëtar.

Berisha: Të dashur qytetarë dhe qytetare, demokrate e demokratë të Lezhës dhe të gjithë qarkut, të Kurbinit dhe Mirditës, një përshëndetje të përzemërt për ju që jeni sot këtu, përshëndetje të përzemërt për të gjthë banorët, mirditorët, malësorët, zadrimorët, banorë të këtij qarku dhe mirënjohja më e pakufishme për mbështetjen, për besimin e jashtëzakonshëm që ju i keni thënë PD-së në dekada.

Një përshëndetje të përzemërt kam për kryetaren e PD, për të gjithë deputetët e kësaj partie, për zotin Gjin Gjoni, këtë përfaqësues me një mision të rëndësishëm në këtë qark dhe në këtë rreth.

Ju falënderoj shumë për këtë pritje të nxehtë dhe vëllazërore.

Ne mblidhemi sot në këtë Foltore të Ripërtëritjes në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Lezhën dhe gjithë Shqipërinë.

Ne kemi ardhur në këtë fazë, në këtë moment pas një rruge të vështirë, të dhimbshme, por njëkohësisht dhe ndoshta rrugës më dinjitoze të jetës tonë politike.

Ne qëndruam të pamposhtur, asnjëri prej jush, asnjëri prej nesh për interes personal, jo absolutisht.

Asnjëri prej jush nuk qëndroi as për interesa të ngushta familjare.

Secili prej jush qëndroi për idealet më fisnike të njeriut.

Qëndroi për dinjitetin njerëzor.

Për dinjitetin e vendit të tij.

Qëndroi me besimin dhe bindjen se Shqipëria duhet të ketë një opozitë të vërtetë.

Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e atyre që nuk duan qeverinë.

Se kjo opozitë duhet të jetë një zëdhënëse besnike e vlerave, e trashëgimisë tonë shoqërore, njerëzore, kombëtare.

Dhe në këtë kuadër, ne duhet të ndjehemi krenarë se përmbushëm me dinjitet këtë mision.

U treguam të pamposhtur.

U treguam të pathyeshëm.

Shqipëria në këto vite pati një opozitë nga më të fortat, nga më aktivet. Shqiptarët patën një avokate të interesave të tyre.

Në këtë drejtim duhet të them se secili nga ju, të gjithë ata të cilët këto vite vendosën të rreshtohen me opozitën, të gjithë ata të cilët këto vite vendosën të mbrojnë kauzën e një opozite sovrane në këtë vend, janë dhe mbeten heronjtë e mi.

Por koha sot na thërret ne, koha na thërret të ripërtërijmë Shqipërinë.

Koha na thërret të përzëmë nga pushteti këtë të keqe të madhe, e cila në disa aspekte është e keqja më e madhe që shqiptarët kanë parë në historinë e tyre.

Koha na thërret që t’u japim përgjigjet më të drejta, më të shpejta problemeve madhore me të cilat përballet shoqëria, me të cilat përballet qytetari ynë.

Sot janë qindra e mijëra shqiptarë në tërësi të moshuar, pensionistë, të cilët me pensionin që marrin, për shkak të rritjes stratosferike të çmimeve, në mënyrë absolute nuk sigurojnë ushqimin normal më shumë se të dy javëve në muaj. Nuk sigurojnë dot tre vaktet në ditë.

Sot janë me qindra mijëra pensionistë, të cilët nuk i marrin dot ilaçet për t’u mjekuar.

Miq, e njëjta ndodhte në diktaturë. Fermerët, fshatarët që punonin në kooperativa bujqësore robtoheshin, por me lekët e ditës së punës, ai që sëmurej, ilaçe nuk blinte dot.

Edhe sot një pensionist nuk blen dot ilaçet.

Po çfarë ndodh me të?

Sëmundja është e pamëshirë, e gërryen atë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe i shkurton jetën. Dhe ky është realitet i përditshëm tek ne.

Sot të rinjtë, në përllogaritjet që bëjnë, nuk ndërtojnë dot jetën në Shqipëri.

Ai mbaron universitetin dhe për të krijuar familje duhet të paguajë një qira më të madhe se rroga që merr. Qiraja sot në Tiranë është 720 euro, është mbi rrogën mesatare.

Dhe ky i ri, pasi ndodhet para të pamundurës, vendos të ikë, ta marrë ëndrrën e tij me vete. Të mos e ndërtojë në Lezhë, në Shkodër, në Shqipëri, por të dalë rrugëve të botës.

About Redaksia

Check Also

Protesta 129/ Qytetarët ironizojnë përplasjet në PS për Reformën Territoriale: O Taulant bëj presion…

Ka nisur në Tiranë protesta e 129-të radhazi kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, të …