Berisha: PD duhet të hapet, por duhet që edhe çdo qelizë e saj të funksionojë! Seksionet duhet të jenë në këmbë

PD duhet të hapet, por hapja nuk mjafton. Çdo qelizë e saj duhet të funksionojë dhe seksionet duhet të jenë në këmbë.’

Gjatë fjalës në Lezhë, kryetari i PD, Sali Berisha theksoi nevojën për një parti më të hapur, më aktive dhe më të lidhur drejtpërdrejt me qytetarët, duke e lidhur këtë proces me objektivin e rikthimit të demokratëve në pushtet.

Berisha tha se demokratët duhet të hapin dyert për të rinjtë, gratë dhe ‘vlerat kudo që janë’, por njëkohësisht të ringjallin strukturat bazë të partisë. Sipas tij, beteja për ripërtëritjen e PD-së nuk mund të fitohet vetëm nga drejtimi qendror, por kërkon funksionimin e çdo seksioni dhe angazhimin e çdo demokrati në terren.

Berisha: Si arritëm ne të ngjitemi në çatinë e botës?

Si arritëm?

Ne dyfishuam rrogat dhe pensionet.

Ne arritëm që ato të ardhura që mblidhnim, taksa nga qytetarët, nuk i shndërronim në udhëtime me avionë personalë.

Se ato të ardhura që mblidhnim nga taksat e qytetarëve nuk i shndërronim në vetura luksoze.

Nuk i shndërronim rrugët ne me çmime 8-12 herë më të larta në BE. Dhe ndërtuam rrugë ne sa kurrë ndonjëherë, 11 mijë km rrugë, dhe ja ku janë.

Arritëm se i vumë fre abuzimit. Kishte zëvendësministra qeveria e mëparshme, por nuk kishin vetura. Jo, ua rritëm rrogën sa për udhëtimin dhe kursyem 40 milionë euro.

Si arritëm ne?

Arritëm sepse ndërtuam dhe rindërtuam 1300 shkolla, kopshte dhe objekte për arsimin.

Si arritëm ne të ngjitemi në vendin e katërt në botë për shndërrimin e rritjes ekonomike për mirëqenie për qytetarët?

Arritëm se investuam mbi 100 milionë euro në aparatura për spitalet tona.

Pra, çfarë ishte kjo qeveri?

Kjo qeveri kishte vetëm një tipar, mendonte për dhimbjen, për hallet, për problemet e qytetarëve. Kaq.

Në qoftë se ti mendon për to, shqiptarët nuk do ishin sot kurrë qytetarët më të keqpaguar në Ballkan dhe në Evropë.

Në vitin 2013 ishin më të mirëpaguar në rajon, përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë. Kjo duhej të vazhdonte.

Rritje duhet të vazhdonte të ishte mirësi për qytetarët.

Rritja ekonomike duhej të vazhdonte të shndërrohej në rroga dhe pensione, të shndërrohej në shkolla, spitale, rrugë, shërbime.

Por kjo u ndërpre.

Rritja ekonomike duhet të vazhdonte të nxiste prodhimin.

A mund të imagjinoni ju, Shqipëria që nuk prodhonte dot një këpucë siç duhej, u bë prodhuesi i tetë në botë për këpucët.

Shqipëria që njerëzit detyroheshin të rrinin në orë të tëra në pritje për shishen e qumështit, u bë eksportues qumështi.

Pse po ndalem tek këto?

Për dy qëllime.

E para, po ndalem si zotim që ne këtyre do u rikthehemi, por edhe si garanci që ne i bëmë njëherë këto, do i bëjmë përsëri.

Ndaj dhe ne na duhet pushteti.

Dhe për të ardhur në pushtet, ne duhet të ripërtërihemi.

E them edhe njëherë, ata që e sollën PD-në në këtë fazë, në këmbë dhe të fuqishëm, ata që votuan kandidatët e saj në Lezhë dhe kudo në Shqipëri, ata kanë bërë një heroizëm, një shërbim të jashtëzakonshëm vendit të tyre.

Por tani koha në thërret nën moton, të ripërtërijmë PD-në, të ripërtërijmë Shqipërinë.

Është në detyrimin tonë të hapemi ndaj të rinjve, ndaj zonjave, zonjushave, ndaj vlerave kudo që janë.

Çfarë është kjo braktisje e madhe e Shqipërisë?

Kjo në rrafshin e vlerave është braktisje e madhe e vlerave të Shqipërisë.

Mbi 750 mijë janë këta që kanë ikur.

Ndaj dhe ne duhet të hapemi.

Dhe kjo nuk mjafton.

Ne në çdo qelizë tonë duhet të funksionojmë.

Seksionet tona duhet të jenë në këmbë.

Sot më shumë se kurrë duhet fjala juaj, duhet mendja juaj, virtytet tuaja në dialog me çdo qytetar të këtij rrethi, të këtij vendi, demokrat, indiferent, socialist, çfarëdo që të jetë ai.

About Redaksia

Check Also

Protesta 129/ Qytetarët ironizojnë përplasjet në PS për Reformën Territoriale: O Taulant bëj presion…

Ka nisur në Tiranë protesta e 129-të radhazi kundër Qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, të …